FLASH :

Drafti i Kodit Penal/ Burg përjetë kujt shkakton epidemi me dashje, deri në 20 vite për të ‘pakujdesshmit’! Shitja e ilaçeve të skaduara, 8 vite në qeli

Drafti i Kodit të ri Penal parashikon  masa të rrepta për mbrojtjen e shëndetit publik, duke përfshirë dënime për shkaktimin e epidemive, përhapjen e sëmundjeve infektive dhe prodhimin e barnave të rrezikshme. Burg edhe për reklamat mashtruese për produkte që dëmtojnë.

Pas situatës sfiduese që vendi, edhe e gjithë bota, përjetuan gjatë pandemisë së koronavirusit, në draftin e propozuar për Kodin e ri Penal të vendit, i është kushtuar një kapitull të veçantë mbrojtjes së shëndetit publik.

Jo më pak se njëzetë e pesë vjet dhe deri në burgim të përjetshëm parashikohet në nenin 441 të draftit, nëse dikush shkakton qëllimisht një epidemi përmes shpërndarjes së viruseve apo baktereve patogjenë. Dënim shumë i rëndë parashikohet edhe për rastet kur kjo ndodh nga pakujdesia, 10 deri në 20 vjet heqje lirie. Kodi aktual nuk ka asnjë nen që lidhet me shkaktimin epidemisë.

Megjithatë propozuesit e draftit të ri kanë marrë pothuajse identik nenin që flet për përhapjen e sëmundjeve infektive. Burgim deri në 8 vjet parashikohet përhapja e një sëmundjeje ngjitëse krijon pasoja të rënda.

Neni 444 sanksionon se zyrtarët publikë që nuk raportojnë sëmundjet infektive apo pandemike, sipas detyrimeve ligjore, do të përballen me gjoba apo edhe masa administrative plotësuese. Nga ana tjetër, mosrespektimi i rregullave të karantinës, urdhrave shëndetësorë apo masave gjatë gjendjes së jashtëzakonshme konsiderohen në kundërshtim me ligjin dhe mund të dënohet me burg deri në 3 vjet, në varësi të rrezikut të krijuar.

Transmetimi i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme duke qenë i vetëdijshëm për infektimin, do të përbëjë vepër penale që dënohet nga 2 deri në 6 vjet.

Në draftin e ri janë parashikuar masa të forta edhe për kontrollin e tregut farmaceutik. Prodhimi, importimi ose tregtimi i barnave pa leje, të skaduara, ose që paraqesin rrezik për shëndetin, do të dënohet me burgim deri në 8 vjet, në varësi të rrezikut. Mashtrimi në përmbajtjen, përbërjen apo dokumentacionin e barnave, si dhe çdo veprim që cenon sigurinë, efikasitetin apo cilësinë e produkteve mjekësore, do të ndëshkohet me dënime që variojnë nga 2 deri në 8 vjet burgim.

Edhe reklamimi “mashtrues” apo shpërndarja e produkteve të dëmshme për shëndetin, veçanërisht kur i drejtohen fëmijëve apo personave vulnerabël, dënohet me gjobë ose burgim deri në 4 vite.

Nëse këto vepra penale kryhen nga personel shëndetësor, mësues, zyrtarë publikë apo punonjës të institucioneve publike, ato konsiderohen rrethana të rënduara dhe dënimi mund të rritet deri në 50%.

Nëse përgjegjëse janë kompani apo institucione, ato mund të përballen me mbyllje të përhershme, gjobë të shumëfishtë apo konfiskim të pronës dhe të ardhurave të paligjshme.