Është caktuar pas hedhjes së shortit, treshja e gjyqtarëve të cilët do të gjykojnë dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Kryesuese do të jetë gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri, ndërsa dy gjyqtarët e tjerë do të jenë Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj.
Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si edhe 28 personave e shoqërive pjesë e së njëjtës dosje.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK e dërgoi kërkesën për ta kaluar dosjen për gjykim vetëm 5 muaj më parë. SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj. Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.
Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, kurse Fatjon Baci është gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste dhe akuzohet për “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.
EMRAT E PERSONAVE QË KALOJNË PËR GJYKIM
Erion Veliaj
Elman Abule
Gentian Sula
Fatmir Bektashi
Meriman Palushi
Shkëlqim Fusha
Sokol Kryeziu
Mirton Lika
Linda Kazani
Erald Simixhiu
Ina Goxhaj
Frosina Bollo
Valmir Xoxa
Adela Kondakçiu
Klotilda Bushka
Flutur Xhani
Fatjon Baci
SHOQËRITË QË KALOJNË PËR GJYKIM
“Rametal” shpk,
“Agi Kons” shpk
“Kontakt” shpk
“Palushi” shpk
“Fusha” shpk
“Gerard-A”
“Lani” shpk
OJF “Eventus”
OJF “Muza”
OJF “BYL-A”
OJF “Frobolous”
OJF “Harabel”.









