Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka ashpërsuar tonet ndaj Rusisë, duke i dhënë Moskës një afat të ri prej 10 deri në 12 ditësh për të arritur një marrëveshje paqeje me Ukrainën.
Në të kundërt, ai paralajmëron sanksione të reja dhe të ashpra ekonomike, përfshirë tarifa të larta mbi eksportet ruse dhe ndëshkime për vendet që blejnë naftë nga Rusia.
Deklarata u bë gjatë një konference për shtyp nga resorti i golfit në Turnberry të Skocisë, ku Trump ndodhej në shoqërinë e kryeministrit britanik Keir Starmer. Ai e quajti të panevojshme pritjen prej 50 ditësh që kishte vendosur më herët.
“Po, do të caktoj një afat të ri, rreth 10 ose 12 ditë nga sot. Nuk ka arsye për të pritur më gjatë. Dua të jem bujar, por nuk po shohim asnjë përparim,” deklaroi ai.
Megjithatë, siç vëren CNN, mbetet e paqartë pse presidenti amerikan vendosi të zgjasë edhe për pak ditë afatin, në vend që të zbatojë menjëherë masat e paralajmëruara.
Këto deklarata shënojnë një kthesë në retorikën e presidentit Trump. Tani, ai duket se ka një qëndrim më të qartë kritik ndaj Kremlinit dhe presidentit rus Vladimir Putin.
“Nuk ishte hera e parë që menduam se e kishim zgjidhur, por pastaj presidenti Putin fillon të lëshojë raketa mbi qytete si Kievi dhe vret njerëz të pafajshëm nëpër azile ose kudo tjetër,” tha Trump.