FLASH :

Dolly Parton mungon në Dollywood për shkak të problemeve shëndetësore

Dolly Parton nuk arriti të marrë pjesë në eventin e mbajtur të mërkurën, më 18 shtator, në parkun e saj tematik Dollywood në Pigeon Forge të Tennessee-t, për shkak të një problemi shëndetësor. Artistja 79-vjeçare pritej të njoftonte një shtesë të re në park, por u detyrua të qëndronte larg pas një episodi të papritur shëndetësor.

Në një video-mesazh për fansat, të publikuar nga gazetari Marcus Leshock në platformën X, Parton shpjegoi se arsyeja ishte një gur në veshkë që i kishte shkaktuar infeksion. “E di që ju pyesni pse nuk jam aty. Kisha një problem të vogël – një gur në veshkë,” tha ajo, duke shtuar se mjekët i kishin këshilluar të shmangte udhëtimet për disa ditë, derisa të shërohej.

Megjithatë, këngëtarja legjendare u përpoq t’i qetësonte ndjekësit: “Mos u shqetësoni për mua, do të jem mirë. Thjesht nuk mund të isha aty sot.”

Ky zhvillim vjen disa muaj pas humbjes së bashkëshortit të saj, Carl Dean, me të cilin ishte e martuar për gati gjashtë dekada. Dean ndërroi jetë në mars, në moshën 82-vjeçare, pas një beteje të gjatë me probleme shëndetësore. Në maj, Parton e kishte rrëfyer dhimbjen e saj në një intervistë për Independent, duke thënë: “Jam e lumtur që nuk vuajti më, por kjo nuk mbush boshllëkun dhe vetminë.”

Në korrik, fituesja e 11 çmimeve Grammy njoftoi se po merr një pushim nga muzika, duke theksuar se ka nevojë të përqendrohet në gjëra të tjera. Megjithatë, ajo ka siguruar publikun se do të rikthehet në skenë në të ardhmen.