FLASH :

“Doja ta shihte nga afër”: Gjyshja në Peru çon nipin buzë detit për të parë cunamin pas alarmit zyrtar

Një gjyshe në Peru është bërë virale pasi vendosi të çojë nipin e saj buzë detit për të parë “nga afër” cunamin, menjëherë pasi autoritetet kishin lëshuar një paralajmërim zyrtar pas tërmetit shkatërrues me magnitudë 8.8 që goditi gadishullin Kamçatka në Rusi.

Ngjarja ndodhi të mërkurën në mëngjes në Chorrillos, Lima, kur gjyshja, duke ndjekur lajmet lokale, mësoi për alarmin dhe vendosi të vishej e të shkonte drejt bregdetit me nipin e saj, “sepse ai nuk kishte parë kurrë një cunam”. “Unë doja të shihja diçka, sepse as unë vetë nuk kisha parë kurrë,” tha ajo për Latina Noticias. “E solla dhe nipin që të mësonte.”

E pyetur nëse kishte frikë, ajo u shpreh me qetësi se kishte dëgjuar se paralajmërimi ishte më tepër masë parandaluese. “Na kanë thënë që është diçka parandaluese, jo me rrezik të lartë… nuk e dimë sa të larta do jenë dallgët,” tha ajo me një ton të qetë, teksa shumë qytetarë po largoheshin nga bregdeti.

Kjo deklaratë dhe veprimi i saj i guximshëm – ose i pamatur – bënë xhiron e rrjeteve sociale, në një kohë kur autoritetet peruviane mbyllën 65 nga 121 portet në Paqësor dhe bënë thirrje për të shmangur zonat bregdetare.

Ndërkohë, dallgët e cunamit goditën portin Severo-Kurilsk në Rusi, duke përmbytur fabrikën lokale të peshkut dhe duke marrë me vete ndërtesa e mbeturina. Sipas zyrtarëve, një person humbi jetën dhe disa të tjerë u plagosën gjatë përpjekjes për t’u larguar nga ndërtesat, përfshirë një pacient që kërceu nga dritarja e spitalit.

Në Japoni, afro dy milionë banorë u urdhëruan të evakuoheshin, ndërsa dallgët deri në 70 cm vazhduan të godasin bregun. Një grua humbi jetën pasi ra nga një rrugë shkëmbore gjatë arratisë për në një qendër strehimi.

Edhe në SHBA, dallgë cunami prej 1.1 metra u regjistruan në Crescent City, Kaliforni, por pa dëme të mëdha. Situata mbetet e monitoruar në të gjithë rajonin e Paqësorit.