FLASH :

Doja Cat rikrijon “Wrecking Ball” të Miley Cyrus-it, zhvishet plotësisht në videoklipin e saj provokues të ri

Doja Cat la fansat pa fjalë, teksa guxoi të rikrijojë një nga videot më të kontestuara dhe provokuese në historinë e pop-it.

Të mërkurën, reperja 29-vjeçare u frymëzua nga vetë Miley Cyrus në videoklipin e këngës së saj të re shumë të pritur Lose My Mind, duke u zhveshur plotësisht dhe hipur mbi një motor të madh, e mbuluar vetëm me vaj të zi.

Krijuesja e hitit Paint The Town Red duket se po rindërton momentin e paharrueshëm të vitit 2013, kur fituesja e trefishtë e Grammy-t, Miley Cyrus, hipi lakuriq mbi një sferë metalike të lëkundshme në videon e saj Wrecking Ball.

Kur Wrecking Ball u publikua, ajo theu rekordin e Vevo për më shumë shikime në 24 orët e para – plot 19.3 milionë. Sot, videoklipi ka mbledhur mbi 1.2 miliardë shikime.

Megjithëse mund të ketë marrë frymëzim nga Cyrus, Doja Cat ndjek rrugën e saj në pjesën tjetër të videos mahnitëse, ku shfaqet së bashku me bashkëpunëtorin Don Toliver. Në video, Toliver është pas timonit ndërsa Doja shfaqet me veshje futuriste të ndryshme.

Të dy artistët bashkëpunuan për këngën Lose My Mind, e cila do të jetë pjesë e kolonës zanore të filmit të ardhshëm për Formula 1 me Brad Pitt dhe Damson Idris në role kryesore. Kënga është shkruar nga vetë artistët, në bashkëpunim me producentët Ryan Tedder dhe Hans Zimmer.

Albumi F1 The Album do të publikohet më 27 qershor, njëkohësisht me premierën e filmit origjinal të Apple, ku Pitt dhe Idris interpretojnë dy pilotë rivalë të Formula 1.

Filmi F1 – ku marrin pjesë edhe Kerry Condon, Tobias Menzies, Kim Bodnia dhe Javier Bardem – ndjek historinë e Sonny Hayes (Brad Pitt), një ish-pilot që rikthehet në pistë pas një aksidenti të rëndë për të mentoruar talentin e ri Joshua “Noah” Pearce (Idris).

Për t’u përgatitur për rolet e tyre, Pitt dhe Idris iu nënshtruan muajsh trajnimi, duke mësuar teknikën e kësaj disipline nën udhëheqjen e kampionit të shtatëfishtë botëror Sir Lewis Hamilton.

Filmi është xhiruar gjatë garave të vërteta të Formula 1 anembanë globit gjatë viteve të fundit.

Në kastin e aktorëve bashkohen edhe Shea Whigham, Joseph Balderrama, Sarah Niles, Samson Kayo, Callie Cooke, Will Merrick dhe Layne Harper.

Më herët këtë muaj, Doja Cat publikoi listën e 16 këngëve që do të jenë pjesë e albumit të saj të ardhshëm Vie, përfshirë titujt Turn the Lights On, Slide, One More Time, Make It Up, Lipstain, Kink, Jealous Type dhe I Like You.

Ky album vjen pas Scarlet (2023), të cilin artistja e përshkroi si një “projekt i zemëruar” gjatë një interviste me Jack Harlow për Present Space vitin e kaluar.

“Sipas meje, qëllimi i atij albumi ishte të shfaqte zemërimin dhe mënyrën se si ai përpunohet në mendjen time, por edhe për të treguar mbrojtjen ndaj vetes dhe dashurinë për veten,” u shpreh ajo.

Doja shtoi: “Ishte momenti im ‘Ja ku jam!’ për t’u përballur me të gjithë dhe për të më mbrojtur, për t’i thënë vetes që jam këtu për veten time, jo vetëm për kënaqësinë e të tjerëve.”