FLASH :

“Do të vdesim!”- Fëmijët ulërasin nga paniku ndërsa autobusi shkollor përfundon në lumë në Angli

Ky është momenti i tmerrshëm kur fëmijët ulërasin nga frika, ndërsa një autobus shkollor lëviz me shpejtësi të frikshme në një rrugë në Angli, përpara se të dalë nga karrexhata dhe të përfundojë në një lumë në Eastleigh, Hampshire. Rreth 20 fëmijë mbetën të plagosur, ndërsa pamjet tronditëse të filmuara nga vetë nxënësit tregojnë adoleshentë që kapen fort pas sediljeve, ndërsa thërrasin në panik: “Do të vdesim! Po vdesim vërtet! Çfarë po bën ai?!”.

Sipas dëshmive të nxënësve, autobusi kishte pësuar një përplasje më parë dhe më pas shoferi kishte vazhduar rrugën me shpejtësi të çmendur. Dritarja e përparme ishte e thyer dhe vetë shoferi më vonë tha se pedali i gazit ishte bllokuar dhe frenat kishin dështuar – gjë që mund të shpjegojë faktin pse autobusi nuk u ndal pas përplasjes fillestare me një makinë.

Pesë persona, përfshirë shoferin, u dërguan në spital, ndërsa dy prej tyre janë në gjendje serioze por jashtë rrezikut për jetën. Autobusi transportonte nxënës të Barton Peveril Sixth Form College dhe aksidenti ndodhi rreth orës 10:00 të mëngjesit në rrugën Bishopstoke. Pamjet tregojnë një skenë kaotike, ndërsa zjarrfikësit ndihmojnë fëmijët të dalin me barrelë dhe helikopterë ambulancë zbresin në vendngjarje.

Një elektricist vendas, Bruno Aguiar, ndihmoi në shpëtimin e nxënësve, duke përdorur një shkallë nga furgoni i tij për të ndihmuar të rinjtë të dilnin nga autobusi. “Fëmijët ishin të tmerruar, prisnin ndihmë. Ishte një mrekulli që askush nuk u plagos më rëndë,” – tha ai për mediat britanike.

Një banore tjetër, Kelly West, tha për BBC se e dëgjoi përplasjen dhe vrapoi jashtë, ku pa autobusin duke u zhytur në lumë. Shoferi i kishte thënë se frenat nuk funksiononin dhe se ishte përpjekur të shmangte përplasjet me makinat gjatë zbritjes. Të paktën pesë autoambulanca dhe një helikopter mjekësor ndodheshin në vendngjarje, ndërsa rruga u bllokua për orë të tëra për hetime dhe nxjerrjen e autobusit nga uji.

Inspektori Andy Tester nga Policia e Hampshire deklaroi se në bord ishin 20 persona, prej të cilëve 19 nxënës. Ai tha se disa ishin bllokuar brenda kur mbërritën shërbimet emergjente, por të gjithë janë nxjerrë dhe llogaritur. Ai vlerësoi guximin e qytetarëve dhe ekipeve të shpëtimit që ndihmuan pa hezitim në një situatë të rrezikshme dhe të papërgatitur.

Shërbimi i Ambulancës i South Central tha se në vendngjarje ishin dërguar pesë ambulanca, dy helikopterë dhe njësi të specializuara. Tre pacientë janë në gjendje të rëndë dhe janë dërguar në spital, ndërsa rreth 14 të tjerë po trajtohen në vendngjarje për plagë më të lehta.

Kolegji Barton Peveril konfirmoi incidentin dhe njoftoi se ka ngritur një Qendër Informimi për prindërit e shqetësuar në ambientet “The Hub” në Bishopstoke, ku ndodhen staf i kolegjit dhe përfaqësues të policisë për të dhënë informacion.

Zëdhënësi i policisë konfirmoi se të gjithë personat në autobus janë identifikuar dhe janë nën kujdes mjekësor. Hetimet janë në vazhdim për të zbuluar shkaqet e aksidentit. Drejtori i përgjithshëm i kompanisë Bluestar, Richard Tyldsley, tha se po bëhet një hetim i menjëhershëm për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe shprehu keqardhjen për të plagosurit, duke u uruar shërim të shpejtë.

Rruga pritet të hapet brenda 12 orëve, ndërsa operacioni për nxjerrjen e autobusit nga lumi vazhdon. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonën për të mos penguar punën e ekipeve të emergjencës.