Gjyqi për trafik seksual dhe akuza për shantazh ndaj Sean “Diddy” Combs vijoi këtë të enjte me dëshmi tronditëse nga një tjetër viktimë e supozuar, ndërsa vetë artisti mori një paralajmërim të ashpër nga gjykatësi.
Gjyqtari Arun Subramanian i tërhoqi vëmendjen reperit 55-vjeçar pasi ky i fundit “po tundte kokën me forcë” në drejtim të jurisë, një sjellje që, sipas gjykatësit, mund të sjellë edhe përjashtimin e tij nga seancat. “Do të të nxjerr jashtë nga gjyqi yt nëse vazhdon,” u shpreh gjykatësi prerë.
Pas këtij momenti tensioni, dëshmoi një tjetër viktimë e supozuar, e identifikuar vetëm si “Jane”. Ajo deklaroi se i kishte thënë Combs disa herë – edhe me fjalë, edhe me shkrim – se nuk donte të merrte më pjesë në “freak-offs” (akte seksuale me burra të tjerë). Por Diddy, sipas saj, e kishte detyruar vazhdimisht, duke ushtruar kontroll edhe mbi jetën e saj personale, përfshirë pagesën e qirasë.
Avokatët e Combs pranojnë se ai mund të ketë qenë i dhunshëm në raste të caktuara, por mohojnë akuzat për përdorim ndikimi apo kërcënimesh në industrinë e muzikës për të ushtruar abuzim.
Procesi gjyqësor vijon mes tensioneve të mëdha dhe dëshmive tronditëse.