FLASH :

Do ta vrisnim në varrim : Erion Alibej zbërthen skemën e atentateve në Elbasan

I penduari i drejtësisë, Erion Alibej, ka dhënë sot një tjetër dëshmi tronditëse para Gjykatës së Posaçme, duke hedhur dritë mbi ngjarjet kriminale të viteve të fundit në Elbasan, përfshirë atentatet ndaj vëllezërve Haxhia dhe planet për vrasje të tjera që nuk u realizuan.

Në dëshminë e tij, Alibej deklaroi se ishte ai që i kishte dhënë Nuredin Dumanit armët dhe automjetin që do të përdorej për ekzekutimin e Besmir dhe Viktor Haxhisë, edhe pse, sipas tij, objektivi i vërtetë kishte qenë Altin Ndoci dhe jo Viktori. Sipas Alibejt, ky i fundit u vra nga ngatërrimi i autorëve, pasi menduan se në makinë ndodhej Ndoci.

Dëshmia e Alibejt zbulon gjithashtu se pas atentatit, kishte nisur diskutimi për të kryer një vrasje të dytë në ditën e varrimit të viktimave, ku synohej ekzekutimi i Altin Ndocit. “Diskutoja me Nuredinin që ta ekzekutonim edhe në varrim. Unë isha pro, por nuk ndodhi sepse ai nuk shkoi,” tha Alibej.

Ai tregoi gjithashtu se për të ndihmuar Dumanin të maskohej si oficer i ligjit, i kishte siguruar nga Kukësi veshje me mbishkrimin OFL dhe policisë, të cilat ishin prodhuar në Kosovë dhe dorëzuar për përdorim në aksionet kriminale.

Në dëshminë e tij, Alibej përmendi edhe bashkëpunëtorë të tjerë dhe burime lokale që ndihmonin grupin me informacione dhe logjistikë, përfshirë edhe personazhe nga komuniteti si “Miri i Pojës”.

Dëshmia e sotme është një tjetër copëz në mozaikun e errët të një rrjeti kriminal që ka operuar në Elbasan me skenarë ekzekutimesh, përgatitje ushtarake dhe ndihmë të strukturuar në terren. Gjyqi vijon.