Samuel Bond Haskell IV, djali i një prej agjentëve më të njohur të Hollivudit, i akuzuar për vrasjen dhe copëtimin e gruas së tij dhe prindërve të saj, ka ndërruar jetë në qelinë e burgut, vetëm pak ditë para se të dilte sërish para gjykatës. 37-vjeçari vrau veten në burgun e sigurisë së lartë në Los Angeles, ku ndodhej nën vëzhgim të rreptë për vetëvrasje.
Trupi i pajetë i bashkëshortes së tij, Mei Haskell, u gjet i copëtuar në një kazan plehrash në nëntor 2023, ndërsa prindërit e saj, Yanking Wang dhe Gaoshan Li, rezultojnë ende të zhdukur. Sipas prokurorisë, Haskell u përpoq të fshihte krimin duke paguar punëtorë të largonin çanta plastike me pjesë trupore, të cilat ai i paraqiti si “dekorime Halloween-i”.
Prokurori i çështjes, Nathan Hochman, e quajti vetëvrasjen e Haskell “aktin e fundit mizor” të një personi që i kishte privuar të afërmit nga drejtësia. Haskell ishte kërcënuar me dënimin me vdekje dhe ndodhej në regjim të posaçëm që prej arrestimit. Miku i viktimës tha se Mei ishte ndjerë e bllokuar në martesë për vite me radhë, nga frika se influenca e të atit të Haskell – agjentit të famshëm Sam Haskell – do t’i merrte kujdestarinë e tre fëmijëve të saj. Tronditja në radhët e komunitetit dhe Hollivudit është e thellë, ndërsa tragjedia vazhdon të ngrejë pikëpyetje mbi dhunën e heshtur brenda familjeve të profilit të lartë.



