Pas vrasjes së aktivistit të njohur politik Charlie Kirk, gjatë një aktiviteti në Universitetin e Luginës së Utah-ut, një kërkim intensiv që zgjati mbi 30 orë përfundoi me dorëzimin paqësor të të dyshuarit, Tyler Robinson, në zyrën e sherifit lokal, i shoqëruar nga prindërit e tij.
Lajmi për vrasjen e Kirkut u përhap me shpejtësi në mbarë botën, ndërsa FBI publikoi pamje të të dyshuarit, duke kërkuar ndihmën e publikut për identifikimin e tij. Një ditë pas ngjarjes, nëna e Robinson pa fotot në lajme dhe dyshoi se personi në to i ngjante të birit. Kur ia tregoi fotot burrit të saj, ai e pohoi ngjashmërinë, madje e njohu pushkën që përdorej nga i dyshuari si një dhuratë që ia kishte bërë djalit.
Kjo çoi në një seri bisedash intensive, ku prindërit e bindën Robinsonin të dorëzohej, duke përfshirë edhe një mik të familjes që kishte punuar më herët në forcat e rendit.
Komunikimet që çuan në dorëzim
Në komunikime me shokun e dhomës, të cilat më vonë iu dorëzuan policisë Robinson shprehte shqetësim se prindërit e tij po dyshonin për të dhe po e kërkonin.
“Babai im do foto të pushkës… ai thotë se gjyshi do të dijë kush ka çfarë. Federalët publikuan një foto të pushkës dhe është shumë unike. Ai po më telefonon tani, nuk përgjigjet”,- shkruante ai në një mesazh.
Kur foli me të atin në telefon, Robinson la të kuptohej se kishte ndërmend të vriste veten, sipas dokumenteve të gjykatës. Prindërit e tij e ftuan në shtëpi, ku ai pranoi se ishte autori i vrasjes, duke deklaruar se “nuk mund të shkonte në burg” dhe se “thjesht donte ta mbyllte këtë”.
Kur u pyet pse e bëri, ai u përgjigj se Kirk përhapte urrejtje dhe se kishte “shumë të keqe” në botë.
Ndërhyrja që ndryshoi gjithçka: një telefonatë tejet personale
Rreth orës 20:00 të mbrëmjes, Sherifi i Qarkut të Uashingtonit, Nate Brooksby, mori një telefonatë nga një mik i vjetër, një detektiv në pension, i cili kishte punuar për vite me të. Ai e informoi se e njihte autorin e vrasjes së Charlie Kirk, ishte djali i një familjeje që ai njihte nga komuniteti fetar.
Pas kësaj bisede, Brooksby kontaktoi sherifin e Qarkut të Utah-ut, i cili po drejtonte hetimin. Brenda një ore, Tyler Robinson mbërriti në zyrën e Sherifit të Qarkut të Uashingtonit, i shoqëruar nga prindërit dhe miku i familjes.
Dorëzimi, paqësor dhe i kujdesshëm
Pasi e kuptuan se Robinson kishte frikë nga një arrestim i dhunshëm apo ndonjë përplasje me forcat speciale, autoritetet ranë dakord që dorëzimi të ndodhte në mënyrë të qetë, të relaksuar dhe pa presion.
“Nëse arrijmë ta bindim të dorëzohet paqësisht, unë jam i gatshëm të bëj disa lëshime që kjo të ndodhë”, tha sherifi Brooksby për gazetarët.
Robinson u prit nga hetues të veshur civilë, u ul në një divan pranë prindërve, u ofrua ujë dhe nuk u pyet derisa të mbërritën hetuesit kryesorë. Rreth orës 2 të mëngjesit, Robinson u transferua në Qarkun e Utah-ut, ku do të përballet me akuzat për vrasje të rëndë dhe ku prokurorët kanë njoftuar se do të kërkojnë dënimin me vdekje.
Motivet dhe ideologjitë politike
Nëna e Robinsonit deklaroi se, gjatë vitit të fundit, ai kishte ndryshuar dukshëm pikëpamjet politike, duke anuar nga e majta, mbështetur të drejtat e komunitetit LGBTQ+ dhe duke krijuar një lidhje me shokun e tij të dhomës, i përshkruar si një person transgjinor në dokumentet e gjykatës. Babai i tij kishte bindje politike të kundërta dhe ky konflikt kishte shkaktuar tensione familjare. Kirk, nga ana tjetër, njihej për qëndrimet e tij kundër të drejtave transgjinore dhe fjalimet me tone të forta konservatore që synonin të rinjtë.
Dokumentet e gjykatës thonë se Robinson i kishte thënë familjes së tij se Kirk përhapte urrejtje, dhe e kishte quajtur aktivitetin në universitet “budallallëk”.
“Pata mundësinë ta eliminoja Charlie Kirk dhe do ta pranoj”, – kishte shkruar ai në një shënim të lënë në shtëpi, sipas prokurorëve.
Sherifi Brooksby shprehu tronditjen e tij që një nga ngjarjet më të mëdha të kërkimit në vend përfundoi pikërisht në zyrën e tij, me një djalë lokal që kishte ndjekur të njëjtën shkollë të mesme si ai vetë. Ai e vlerësoi rolin e mikut të tij dhe besimin që prindërit e Robinson kishin tek ai, si kyç në parandalimin e një tragjedie më të madhe.