FLASH :

Djali me autizëm i ndryshoi jetën: Rrëfimi prekës i Marc Cucurella dhe bashkëshortes së tij

Mbrojtësi i Chelsea-t, Marc Cucurella, dhe bashkëshortja e tij Claudia Rodriguez kanë ndarë për herë të parë rrëfimin emocional për rritjen e djalit të tyre, Mateo, i cili është diagnostikuar me autizëm. Në sezonin e dytë të dokumentarit “Married to The Game”, Claudia foli me sinqeritet për sfidat e mëdha që solli kjo diagnozë në jetën dhe martesën e tyre.

“Duhet shumë kohë, shumë vizita te mjekë dhe një përpjekje e përbashkët për të kuptuar dhe për të gjetur zgjidhje. Në fund, gjithçka varet nga sa ekip je me partnerin tënd. Është jashtëzakonisht e vështirë për çiftin,” tha Claudia mes emocionesh.

Marc, i ndikuar thellësisht nga përvoja me të birin, foli për vitet e para sfiduese, kur Mateo nuk arrinte të përshtatej me sistemin tradicional të shkollës dhe shpesh duhej të largohej para kohe. Por gjithçka ndryshoi kur familja gjeti një institucion të specializuar në Londër, që ofroi mbështetjen e nevojshme për zhvillimin e Mateos.

“Kur arrin diçka, edhe një hap të thjeshtë, kjo të jep një kënaqësi të jashtëzakonshme,” rrëfeu me lot në sy mbrojtësi spanjoll.

Historia e tyre prekëse është një thirrje për më shumë ndërgjegjësim mbi autizmin dhe forcën e bashkëjetesës përballë sfidave të mëdha të jetës.