Një tragjedi e rëndë tronditi publikun shqiptar dhe më gjerë dy javë më parë, kur dizajneri i njohur kosovar, Festim Isufi, u gjet pa shenja jete në banesën e tij. Mediat raportuan se ngjarja ndodhi pas një përleshjeje të ashpër me partneren e tij, blogeren Rina Maloku, ku Isufi dyshohet se e ka goditur atë para se t’i jepte fund jetës së tij.
Edhe pse Rina Maloku arriti të mbijetojë me plagë të lehta dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten ende të paqarta. Madje, në rrjet u përhapën aludime të ndryshme, mes të cilave edhe dyshime për një vrasje të mundshme, të cilat familja i hodhi poshtë menjëherë.
Për herë të parë pas kësaj tragjedie ka folur njëri nga vëllezërit e Festimit, i cili ka theksuar se familja nuk e fajëson Rina Malokun për atë që ndodhi.
“Ne e dimë të vërtetën që ai ma nuk jeton. Policia dhe prokuroria janë duke u marrë me rastin dhe besojmë që shumë shpejt do të dalin rezultatet. Familja jonë nuk e ka fajësuar Rinën, as nuk e fajëson. Ajo vazhdon të konsiderohet pjesë e familjes tonë, përderisa nuk ka ndonjë provë konkrete që vërteton të kundërtën,” deklaroi ai për mediat.
Nga ana tjetër, disa ditë më parë, blogerja reagoi publikisht me një postim emocional në Instagram, ku ndau një fotografi me bashkëshortin e saj të ndjerë dhe shkroi:
“Prehu i qetë jeta jem, humbja jote e papritur na ka lënë me dhimbje të papërshkrueshme. Të dua e të kujtoj si njeri të mirë, të buzëqeshur siç ishe.”
Ky reagim, ndonëse prekës, lë pas pikëpyetje të shumta mbi marrëdhënien mes çiftit dhe çfarë mund të ketë ndodhur saktësisht në ato momente tragjike.
Çfarë ndodhi atë natë?
Sipas dëshmive të para, menjëherë pas incidentit, Rina Maloku ka arritur të dalë nga banesa dhe të kërkojë ndihmë në një klinikë dentare aty pranë.
“E plagosura ka ardhur këtu duke kërkuar ndihmë,” deklaroi pronari i klinikës për mediat lokale. Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, pohoi se ajo ishte trajtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, trupi i pajetë i dizajnerit është dërguar për ekspertizë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të rastit.
“Prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit,” thuhet në deklaratën zyrtare të Prokurorisë.
Kush ishte Festim Isufi?
Festim Isufi ishte një prej emrave më të njohur në modën shqiptare. Në vitin 2020, ai hyri në histori si stilisti i parë shqiptar që prezantoi koleksionin e tij “Haute Couture” me 20 veshje në Javën e Modës në Paris – pikërisht në shtëpinë ikonike të Coco Chanel.
Koleksioni i tij, i frymëzuar nga ngjyrat e qiellit dhe silueta elegante, u përmbyll me një fustan të bardhë nusërie nën tingujt e këngës “Baresha” nga Nexhmije Pagarusha – një moment që emocionoi publikun vendas dhe ndërkombëtar.
Në sfilatën e tij morën pjesë edhe personalitete të njohura si Agnesa Vuthaj, Orinda Huta, Ambasadori i Kosovës në Francë Qendrim Gashi dhe bashkëshortja e tij Jeta Abazi Gashi.
Humbja e Festim Isufit ka lënë boshllëk të madh në botën e modës dhe artit shqiptar, por njëkohësisht ka hapur një plagë të thellë për miqtë, familjarët dhe ata që e njohën nga afër.
Hetimet pritet të hedhin më shumë dritë mbi atë çfarë ndodhi vërtet atë natë – në pritje të drejtësisë për një jetë që u ndërpre shumë herët.




