FLASH :

Disa prindër përpiqen të shesin fëmijët e tyre — raste tronditëse nga Ukraina, Rusia, Brazili dhe SHBA-ja

Dashuria mes prindit dhe fëmijës nuk njeh kufij, por disa raste të fundit kanë tronditur opinionin publik, ku prindërit janë bërë burim dhune dhe shfrytëzimi ndaj fëmijëve të tyre.

Në Ukrainë, një grua 20-vjeçare nga qyteti Dnipro u arrestua pasi u përpoq të shiste djalin e saj 2-vjeçar për 18,000 paund, para këto që planifikonte t’i përdorte për të hapur biznesin e saj. Ajo u dënua me tetë vite burg për trafikim njerëzor. Sipas policisë, ajo pranoi se nuk donte të kujdesej për djalin dhe e konsideroi shitjen mënyrën për t’u “hequr qafe” atij.

Në vitin 2019 në Moskë, një grua ruse u arrestua pasi u kap duke tentuar të shiste vajzën e saj të porsalindur për 11,500 paund. Ajo e justifikonte veprimin e saj duke thënë se fëmijët ishin “pengesë për lidhjet me meshkujt”. Kjo ishte tentativa e saj e dytë për të shitur fëmijët.

Në Brazil, një nënë u arrestua vitin e kaluar, pasi tentoi të shiste të bijën 27-ditëshe për të paguar një kurs gatimi dhe qiranë e banesës. Në operacion u përfshinë edhe disa persona të tjerë, ndërsa foshnja u shpëtua nga policia dhe u dërgua në kujdesin social.

Edhe në Florida, SHBA, një grua u arrestua në mars 2024 për tentativë shitjeje të vajzës së saj 18-muajshe për 500 dollarë. Ajo u kap pasi një punonjëse dyqani e lajmëroi policinë, pas shikimit të dhunës që gruaja ushtronte ndaj foshnjës.

Në Afrikën e Jugut, një grua u dënua këtë muaj për rrëmbimin dhe shitjen e vajzës së saj 6-vjeçare, një rast që tronditi vendin. Fëmija, i cili është ende i zhdukur, ishte kërkuar nga një “shërues tradicional” për veçoritë e saj fizike.

Këto histori alarmuese tregojnë se, pavarësisht nga instinkti i prindërve për të mbrojtur fëmijët e tyre, në raste ekstreme, motivet si paraja, lehtësia apo interesa personale mund të çojnë në tradhti të tmerrshme ndaj kësaj përgjegjësie themelore.