Një tjetër mbështetje e rëndësishme vjen për Jorida Tabakun në prag të zgjedhjeve të 11 majit, këtë herë nga Kroacia. Davo Ivo Stier, diplomat dhe ish-eurodeputet me peshë në politikën kroate dhe evropiane, ka shprehur publikisht përkrahjen e tij për kandidaturën e Tabakut.
Stier, i cili është pjesë e partisë konservatore HDZ (Unioni Demokratik Kroat), njihet për qëndrimet e tij të qarta pro-evropiane dhe për angazhimin e vazhdueshëm në çështjet e politikës së jashtme, me një fokus të veçantë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“E njoh Jorida Tabakun, për shumë vite punojmë sëbashku në Këshillin e Europës, ajo ka qenë gjithmonë një zë për Europën. Ajo do të jetë një shtyllë kyçe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin European në Parlamentin Shqipëtar. Jam shumë i lumtur që mbështes Jorida Tabakun për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri.”, është shprehur Stier.
Mbështetja për Joridën nuk ndalet këtu. Vetëm një ditë më parë, një mik i ngushtë i saj nga Berlini i ka uruar suksese në garën zgjedhore, duke theksuar se ajo përfaqëson një pikë kyçe në forcimin e marrëdhënieve gjermano-shqiptare.
Këto deklarata vijnë si dëshmi e mbështetjes ndërkombëtare që Jorida Tabaku gëzon, duke e pozicionuar atë si një zë të rëndësishëm në politikën shqiptare me ndikim përtej kufijve.







