FLASH :

Dinamo kërkon mrekullinë ndaj Jagiellonias, dilemë për kapitenin Dita

Dinamo zbret sot në mbrëmje (20:45), në “Air Albania”, për ndeshjen e kthimit të raundit play-off të Conference League kundër Jagiellonias. Pas humbjes 3-0 në Poloni, blutë kanë përpara një sfidë tepër të vështirë, ku përveç rezultatit, trajneri Ilir Daja përballet edhe me dilema të rëndësishme për formacionin.

Situata më e ndjeshme lidhet me kapitenin Albi Dita. Mbrojtësi ka shprehur gatishmërinë për të sakrifikuar dhe për të luajtur, por stafi teknik heziton për ta aktivizuar nga frika e një dëmtimi të ri, që mund ta mbante jashtë fushave për muaj të tërë. Aktivizimi i tij do të sillte ndryshime domethënëse në skemë, duke rikthyer lojtarët në rolet e tyre natyrale: Meksi në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe Nani më i avancuar në mesfushë.

Rikthimet në skuadër

Një tjetër pikë pozitive për Dajën është rikthimi i mesfushorit Klevi Qefalija, i cili është pranë formës së plotë dhe, nëse nuk e nis titullar, do të jetë gati nga stoli. Po ashtu, Ledio Beqja është bashkuar me grupin, duke i dhënë më shumë alternativa trajnerit në qendër të fushës.

Formacioni i mundshëm

Në rast se Dita nuk do të rrezikohet, Dinamo pritet të zbresë në fushë me të njëjtin formacion që luajti në Poloni. Megjithatë, trajneri Daja mund të bëjë ndryshime të minutës së fundit, në varësi të gjendjes fizike të lojtarëve.

Dinamo ka përpara një mision shumë të vështirë, por atmosfera në “Air Albania” pritet të jetë një shtysë e madhe për skuadrën kryeqytetase, që kërkon të lërë një përshtypje pozitive në arenën europiane.