Temperaturat përvëluese po djegin edhe Greqinë. Shteti fqinj po vuan nga zjarre të shumtë që kanë shpërthyer në të katër anët e vendit.
Sipas mediave greke, situata më problematike është në Kefalonia, Zakynthos, Fokida dhe Vonitsa.
Autoritetet kanë dërguar SMS në telefonat e banorëve të këtyre zonave, duke i vënë në dijeni për situatën e rrezikshme dhe u kërkojnë të evakuohen.
Forca të shumta zjarrfikësish veprojnë nga terreni, ndërsa avionë dhe helikopterë po hedhin ujë nga ajri për të neutralizuar zjarret.
Flakët po favorizohen edhe nga era e fortë.
Emergjencat Civile në Greqi kanë paralajmëruar për rrezik shumë të lartë edhe gjatë ditës së sotme, për shkak të temperaturave ekstreme që shkojnë mbi 40 gradë Celsius.