Edhe pse dielli mund të ketë efekte të dëmshme kur ekspozimi ndaj tij bëhet në orët më të nxehta të ditës, ai mbetet një aleat i rëndësishëm për shëndetin – përfshirë edhe në procesin e rënies nga pesha.
Nuk dobësoheni vetëm duke qëndruar në diell…
…por rrezet e tij ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në funksionimin e trupit dhe në krijimin e kushteve të favorshme për të humbur kilogramë. Një ndër mënyrat është përmes ndikimit që dielli ka në nivelin e serotoninës.
Serotonina, dielli dhe oreksi
Shumë vende në botë përballen me mungesë të dritës diellore për periudha të gjata, çka ndikon negativisht në shëndetin mendor. Rënia e serotoninës – neurotransmetues që ndikon në humor dhe oreks – mund të çojë jo vetëm në depresion, por edhe në çrregullime të ndjesisë së urisë.
Kur niveli i serotoninës është i ulët, hipotalamusi – pjesa e trurit që rregullon oreksin – dërgon sinjale më të ngadalta për ngopje, duke nxitur një ushqyerje të tepruar dhe të vazhdueshme.
Teoria e nxehtësisë: më shumë diell, më pak uri
Ekziston një teori interesante që lidhet me temperaturën e ambientit: sa më i ngrohtë moti, aq më pak i uritur ndihet trupi. Rënia e temperaturës nxit oreksin, ndërsa temperaturat e larta, si ato gjatë pranverës dhe verës, e ulin ndjesinë e urisë.
Për më tepër, stinët me mot të mirë nxisin aktivitetin fizik – nga ecja dhe vrapi, tek noti apo aktivitetet në natyrë. Ky kombinim i lëvizshmërisë më të lartë me një oreks më të moderuar favorizon procesin e rënies nga pesha.