FLASH :

Diaspora “voton” Ramën: PS dominon edhe jashtë vendit, por 4 qarqe mbeten në lojë për ndryshime mandatesh

Numërimi i votave të diasporës vijon, ndërsa Partia Socialiste ruan epërsinë e thellë edhe jashtë vendit. Deri më tani janë numëruar 97,534 zarfa nga gjithsej 194,889, çka përbën mbi 50% të totalit të votave nga emigrantët.

PS kryeson me 52,344 vota (rreth 54%), duke konfirmuar avantazhin edhe mes shqiptarëve jashtë kufijve. Në vend të dytë qëndron koalicioni PD-ASHM me 27,401 vota (28.3%), ndërsa në vend të tretë renditet Nisma Shqipëria Bëhet me 8,138 vota (8.4%).

Subjektet e tjera janë larg garës për mandate, përfshirë Partinë Mundësia me 3,452 vota (3.57%), Lëvizjen Bashkë me 2,537 vota (2.63%) dhe Partinë Socialdemokrate me 1,114 vota (1.16%). Të gjitha partitë e tjera kanë marrë më pak se 1% të votave.

PS drejt fitores me 83 mandate – opozita në rënie

Me përfundimin e numërimit të votave brenda vendit, PS siguron 83 mandate, ndërsa opozita e Berishës fundoset në vetëm 50 deputetë, 13 më pak krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.

4 qarqe ku diaspora mund të ndryshojë rezultatin

Megjithëse PS ruan një avantazh të thellë, katër qarqe mbeten ende në lojë për ndryshime për shkak të votave të mbetura të diasporës:

  • Tiranë: Në rrezik është mandati i dytë i Partisë Mundësia, që mbahet me një diferencë të ngushtë ndaj PD-së. Ai mund të bëhet mandati i 14-të i PD-ASHM në këtë qark.
  • Fier: PS mbron mandatin e 9-të me vetëm 500 vota avantazh, por Nisma Shqipëria Bëhet po ngushton diferencën, falë performancës së mirë në votat e diasporës.
  • Lezhë: PD-ASHM ka një epërsi prej 1,350 votash, por mbeten mbi 4 mijë vota të panumëruara, ndaj ndryshimet janë ende të mundshme.
  • Vlorë: Opozita kërkon të rimarrë mandatin e 4-t, që do të reduktonte PS-në në 8 deputetë në këtë qark. Por, trendi i deritanishëm nuk favorizon një përmbysje.

Procesi i numërimit të votave të diasporës mbetet vendimtar për balancën finale të mandateve, veçanërisht në qarqet e lartpërmendura.