FLASH :

Dhunë raciste në Irlandën e Veriut: Djegie, sulme ndaj emigrantëve dhe policisë, qytetarë të tmerruar shpallin kombësinë e tyre për të mbijetuar

Tensionet kundër emigrantëve në Irlandën e Veriut kanë arritur kulmin, pasi një qendër sportive që ofronte strehim urgjent për familje rumune dhe të tjera që kishin ikur nga trazirat në Ballymena, është sulmuar dhe djegur nga persona të maskuar.

Rreth një duzinë huliganësh me kapuç dogjën Qendrën Sportive Larne në County Antrim, e cila besohet se kishte strehuar njerëz për t’i mbrojtur nga dhuna raciste e kësaj jave. Larne ndodhet rreth 30 kilometra në lindje të Ballymena, ku mbrëmjen e kaluar pati përsëri trazira, pasi dy adoleshentë rumunë u akuzuan për tentativë përdhunimi ndaj një vajze vendase.

Policia përdori topa me ujë dhe një protestues u qëllua në zonën intime me një plumb gome, pasi sulmoi një rresht makinash policie që bllokonin rrugën. Ministri i Komuniteteve nga Partia Unioniste Demokratike (DUP), Gordon Lyons, është akuzuar për nxitje të tensioneve, pasi zbuloi në rrjete sociale vendndodhjen e strehës në Larne, përpara incidentit të zjarrvënies. Ai është referuar për hetim në Komisionin e Etikës së Kuvendit të Irlandës së Veriut.

Fatmirësisht, personat që kërkonin strehim aty ishin zhvendosur në një vend tjetër përpara shpërthimit të zjarrit.

Ndërkohë, urrejtja po përhapet në rrjete sociale, ku protestues të vetëshpallur po nxisin huliganë që të gjuajnë emigrantë rumunë. Kjo ka bërë që dhjetëra banorë të County Antrim të jetojnë në frikë, me disa prej tyre që kanë vendosur pankarta në dyert e banesave për të shpallur kombësinë e tyre. Shkrime si “Këtu jeton filipinas” dhe flamuj britanikë janë ngjitur në dritare në përpjekje për të shmangur sulmet.

Sulmi në qendër dhe shpërthimi i dhunës
Trazirat në qendrën sportive nisën kur rreth 50 persona u mblodhën dhe panë një grup që theu xhamat, ndezi kazanët e mbeturinave dhe i hodhi në hyrje të ndërtesës. Më pas shpërtheu një zjarr masiv nga dhoma e xhamit, e shkatërruar tashmë nga tulla dhe mjete të forta.

Sipas raportimeve, dhuna ndërpreu një kurs yoga që po zhvillohej brenda, ku një tullë u përplas në dritare duke tmerruar stafin dhe vizitorët. Deputeti lokal i Partisë Aleanca, Danny Donnelly, që ndodhej në vendngjarje, i tha BBC-së se “stafi u detyrua të bllokojë hyrjet dhe të arratisej nga dera e pasme”.

Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Irlandës së Veriut (NIFRS) tha se mbërriti në vendngjarje në orën 20:54 për të shuar zjarrin, me dy mjete zjarrfikëse, një oficer fleksibël dhe 16 pjesëtarë të stafit në total.

Para mbërritjes së tyre, qytetarë të tmerruar bënin thirrje për protesta paqësore. Qendra e Emergjencës ishte hapur të martën në mbrëmje nga Bashkia e Mid dhe East Antrim pas trazirave në Ballymena që lanë disa familje në nevojë të menjëhershme për strehim.

Trazirat shpërthyen pasi dy djem 14-vjeçarë – të dy që kërkonin përkthyes rumun në gjykatë – u akuzuan për tentativë përdhunimi oral ndaj një vajze adoleshente fundjavën e kaluar. Një person i tretë, 28 vjeç, u arrestua në lidhje me hetimin të hënën në mbrëmje.

Zëdhënësi i bashkisë tha: “Në përputhje me protokollet standarde dhe në bashkëpunim me agjencitë lokale, bashkia mori një kërkesë për të hapur një Qendër Emergjente Strehimi në Larne për të strehuar familje në nevojë. Të gjithë familjet janë zhvendosur dhe nuk ndodhen më në qendër.”

Ballymena në flakë, shtëpi digjen, policia nën sulm
Oficerët e PSNI u rikthyen në rrugët e Ballymena për të tretën natë radhazi, pasi deri në 400 huliganë u mblodhën për të hedhur fishekzjarrë, bomba molotov dhe sende të forta ndaj policisë – vetëm dy ditë pasi një vigilje paqësore me 2,500 persona përfundoi në kaos.

Zjarre shpërthyen pranë banesave, duke nisur nga kazanë mbeturinash dhe grumbuj plehrash. Turma u përball me një mur makinash të blinduara policie që bllokonin rrugën për në zonat e banimit. Fishekzjarrë, shishe qelqi dhe gurë u hodhën ndaj policisë nga meshkuj dhe femra që brohorisnin kur godisnin objektivat.

Bomba molotov u hodhën drejt makinave të blinduara Land Rover, duke shkaktuar flakë të menjëhershme. Policia u përgjigj me topa uji dhe një plumb gome AEP.

Pesë persona u arrestuan për sjellje të dhunshme të mërkurën, ndërsa një mashkull u arrestua në Newtownabbey për sjellje të çrregullt.

Një video tronditëse në TikTok tregoi momentin kur protestuesit dogjën një shtëpi në Ballymena, teksa kërkonin ndjekës dhe pëlqime në rrjete sociale. “Dua ‘gifts’ djem, më jepni gifts”, thoshte një prej tyre para shtëpisë që digjej. Në një moment, ai thoshte me mburrje: “Kam 2.6 mijë shikime, shok”.

E marta shënoi natën më të dhunshme deri tani, me makina të djegura, prona të shkatërruara dhe policë të plagosur.

Policia pranon: Dhunë e planifikuar, urrejtje etnike në shesh
Zëvendës Shefi i Policisë, Ryan Henderson, tha se PSNI ka zhvendosur një numër të konsiderueshëm oficerësh, mjete dhe pajisje drejt zonave të prekura. Ai e quajti dhunën “huliganizëm racist i drejtuar ndaj pakicave etnike dhe oficerëve të policisë”.

Policia e Skocisë ka pranuar të dërgojë forca shtesë nën marrëveshjen e ndihmës së ndërsjellë. Janë kërkuar 80 oficerë nga forcat e tjera britanike për të ndihmuar.

“Ky dhunim i rendit dëmton jo vetëm hetimin penal, por traumatizon më tej viktimën e re dhe familjen e saj. Po ashtu, ky veprim rrezikon vetë drejtësinë që pretendon të kërkojë,” tha Henderson.

Në qytete si Carrickfergus, Belfast verior dhe Newtownabbey janë shënuar incidente të ngjashme. Shtëpi dhe biznese u sulmuan, u dëmtuan apo u dogjën. Edhe banesa që mbanin flamuj britanikë u goditën, pasi turma dyshonte se aty jetonin të huaj.

Në konferencë për shtyp, policia tha se ende nuk ka prova që paramilitarët po organizojnë trazirat, por dhuna e natës sugjeron përgatitje të qëllimshme.

Reagime politike dhe ndihma në terren
Sekretari për Irlandën e Veriut, Hilary Benn, pritet të vizitojë Ballymena. Zyrtarë britanikë janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet lokale dhe PSNI.

Kryeministri Keir Starmer dënoi dhunën duke e quajtur “sulme të pakuptimta”. Ndërsa Ministrja e Parë Michelle O’Neill deklaroi se “kjo që po ndodh në Ballymena është racizëm i pastër”. Zëvendësja e saj, Emma Little-Pengelly, tha se “kjo dhunë nuk ka asnjë qëllim dhe po shkatërron komunitetet tona”.