Dhimbja e stomakut që shfaqet menjëherë pas ushqimit mund të sinjalizojë një sërë problemesh, nga ato të lehta e deri tek ato që kërkojnë kujdes të menjëhershëm mjekësor. AgroWeb.org sjell një përmbledhje të shkaqeve më të zakonshme dhe mënyrave natyrale për ta lehtësuar dhimbjen.
1. Probleme me tretjen
Ushqimet me yndyrë shpesh shkaktojnë fryrje, dhimbje dhe një shije acidike në gojë. Përtypja e ngadaltë dhe konsumimi i lëngjeve pas vakteve, e jo gjatë tyre, ndihmon në lehtësimin e simptomave. Një çaj xhenxhefili mund të qetësojë sistemin tretës.
2. Fryrjet
Fryrja shkakton kontraktime të stomakut sidomos pas ngrënies. Çaji i nenexhikut është një zgjedhje efektive për zbutjen e fryrjes.
3. Gastriti
Gastriti është inflamacion i mukozës së stomakut, shpesh i shkaktuar nga bakteret, barnat, stresi, alkoli apo kafeina. Dhimbja zakonisht ndjehet në pjesën e sipërme të barkut. Lëngu i patates, i marrë duke shtrydhur patate të freskët dhe tretur në ujë të vakët, është një kurë natyrale që rekomandohet të merret në mëngjes esëll.
4. Ulçera
Ulçerat janë plagë të brendshme që mund të shkaktojnë dhimbje të forta pas ushqimit. Lëngu i lakrës është një kurë natyrale efektive. Gjithashtu rekomandohet të konsumohet më shumë ushqim i pasur me probiotikë për të balancuar florën bakteriale.
5. Urthi
Urthi manifestohet me një ndjesi djegieje nga stomaku deri në kraharor. Shkaktarët më të zakonshëm janë ushqimet e skuqura, pikante, me yndyrë, qepët, agrumet dhe domatet. Pini ujë para dhe pas vakteve, jo gjatë tyre. Dy lugë gjelle uthull molle në një gotë me ujë mund të ndihmojnë.
6. Refluksi Gastro-Ezofageal
Një formë më e rëndë e urthit, që shoqërohet me ndjesi për të vjellë, vështirësi në përtypje dhe dhimbje në kraharor. Duhet shmangur çokollata, kafeja, alkoli, agrumet dhe ushqimet me yndyrë. Soda e bukës mund të përdoret si zgjidhje e shpejtë për simptomat.
7. Gurë në tëmth
Dhimbjet nga gurët e tëmthit ndodhin zakonisht pas konsumimit të ushqimeve me yndyrë. Ato shfaqen disa orë pas vakteve. Pini ujë me limon në mëngjes dhe në darkë për të ndihmuar në tretjen e gurëve.
8. Ishemia intestinale
Një gjendje më serioze që ndodh kur qarkullimi i gjakut në zorrë ndërpritet. Simptomat përfshijnë dhimbje të forta, të përziera, ethe dhe vështirësi në jashtëqitje. Kërkohet ndihmë e menjëhershme mjekësore.
Trajtimet natyrale në shtëpi
Masazhet e barkut dhe kompresat e ngrohta mund të ndihmojnë në rastet e lehta. Por nëse simptomat vazhdojnë, është thelbësore të konsultoheni me një mjek specialist.