FLASH :

Dhe sa kohë do të jetojmë në një shtet taksash që i merr frymën sipërmarrjes dhe le të livadhisin të vegjlit?!


Nga Maksi Çami
Ndoshta ngaqë jemi mësuar që shteti të na marrë ç’kemi në xhep. Ndoshta ngaqë jemi mësuar të ulim kokën. Ndoshta ngaqë kemi frikë se mos na pushkatojnë siç i pushkatuan bejlerët kriminelët komunistë në 46-ën. Apo ndoshta thjesht sepse jemi injorantë, ne shqiptarët nuk para flasim për taksat. Edhe kur del ndonjë ekspert në TV, ndërrojmë kanalin për të parë më mirë dy politikanë që shahen e zihen në studio. Edhe ky artikull në portal, do të jetë më pak i klikuari nga lajmet e ditës, por prapë, është mëkat që një popull që e mendon veten si bijtë e lirë të shqipes (siç na mëson folklori) të mos e kuptojë sa shumë vidhet nga politikat e taksimit. Po e sqaroj teknikisht pse.
Nëse shohim pas zërave triumfues mbi tejkalimin e pritshmërive në të ardhurat buxhetore dhe uljen e deficitit përtej objektivave, do të konstatojmë një të vërtetë shqetësuese: struktura fiskale e Shqipërisë sot është e brishtë dhe e rrezikuar nga varësia e tepërt tek TVSH. Po, po, TVSH-ja që e paguajmë në cdo faturë që konsumojmë. Një taksë e shpikur për t’i marrë para qytetarit dhe për të mbushur arkat e shtetit, arkat që vidhen si hambarë gruri në kohë lufte.
E keni vënë re ndonjëherë si gjithçka në këtë vend përfundon duke u paguar nga të njëjtët njerëz? Jo, nuk po flas për bizneset e vogla të lagjes që mezi mbijetojnë, por për ne qytetarët, konsumatorët që çdo ditë paguajmë taksa për çdo gjë që blejmë. E dini pse? Sepse TVSH-ja, ajo taksa famëkeqe që e kemi në bukë, në qumësht, në rrobat e fëmijëve është bërë burimi kryesor i të ardhurave për shtetin. Plot 35% e të ardhurave vijnë nga ajo. Por përveç qytetarëve, a e dini se kush i sjell kontributet më të mëdha në arkën e shtetit? Një grup i vogël biznesesh të mëdha importues, supermarkete, telekomunikacioni dhe ndërtuesit e mëdhenj.
Ndërkohë shërbimet, tregjet, bujqësia, gjithë ajo pjesë e informalitetit që qeveria bën sikur nuk e sheh, jeton e qetë, pa u trazuar nga tatimorët. Pra, çuditërisht, sa më i madh dhe më i organizuar të jesh, aq më shumë paguan dhe nëse je i vogël, ndoshta je thjesht “jashtë radarit”.
Ky sistem nuk është ë thjesht absurd. Është një flluskë që mund të plasë në çdo moment. A kemi mësuar gjë nga Irlanda, që u përqendrua te kompanitë e huaja e më pas u gjend pa bazë fiskale kur ato u larguan? Ne po ecim në të njëjtën rrugë, duke u mbështetur në disa burime që mund të ndalen nesër nga një krizë ekonomike, një luhatje politike apo një recesion europian. Nëse nuk kemi një sistem të drejtë fiskal që i trajton qytetarët si partnerë e jo si burim të pafund taksash, nuk kemi as zhvillim. Shpërndarja e barrës duhet të jetë reale, jo vetëm mbi konsumatorin që s’ka si shmanget. Sepse përndryshe çfarë kuptimi ka të flasim për “zhvillim rajonal”, “përfshirje sociale”, apo “rindërtim ekonomik” kur gjithë sistemi mbahet nga një pjesë e vogël e ekonomisë që po mbushet e po shpërthen?
Sufiçiti i vitit nuk është arritje. Është çmimi që kemi paguar ne të tjerët. Dhe nëse nuk ndërtojmë një kornizë që e mbron ekonominë nga vetvetja, çdo mburrje do të na kthehet në bumerang. Ka ardhur koha të ndalim këtë rreth vicioz të justifikimeve fiskale dhe të kërkojmë: një sistem që nuk mbështetet te TVSH-ja si oksigjen i vetëm. Një sistem që nuk të rrjep për çdo shishe uji. Një sistem ku taksa do të thotë barazi dhe jo barrë.