FLASH :

Detaji i vogël që zbuloi identitetin e Heinrich Himmler: Si “monstri” i nazizmit u demaskua, u vetëvra me cianid dhe u varros fshehurazi nga britanikët

Më 22 maj 1945, vetëm pak javë pas vetëvrasjes së Adolf Hitlerit, një nga figurat më të frikshme të Rajhut të Tretë ra në duart e trupave britanike në Gjermaninë veriore. Heinrich Himmler, arkitekti i Holokaustit dhe kreu i SS-së, po përpiqej të shpëtonte, i maskuar si një rreshter i zakonshëm me emrin “Heinrich Hizinger” dhe me një copëz të zezë mbi sy.

Ai dorëzoi dokumente identifikimi false, të cilat në pamje të parë dukeshin të besueshme. Por një vulë e vogël – një detaj që do t’i shpëtonte syrit të kujtdo tjetër – i tradhtoi identitetin. Inteligjenca ushtarake britanike e kishte dalluar më herët këtë vulë në dokumente që po përdoreshin nga anëtarë të tjerë të SS-së që përpiqeshin të arratiseshin. Kjo ishte mjaftueshme për ta ndaluar.

Të nesërmen, i kapur dhe i çarmatosur, Himmler e pranoi identitetin e tij: ai ishte njeriu më i kërkuar në Gjermani. Kapja e tij përbënte një sukses të jashtëzakonshëm për forcat britanike.

Por ai nuk do të përballej kurrë me drejtësinë. Gjatë një kontrolli mjekësor të zakonshëm në kampin e ndalimit, oficeri britanik kapiten C.J. “Jimmie” Wells dyshonte se Himmler mund të kishte fshehur një kapsulë cianidi – një metodë e njohur mes zyrtarëve nazistë për të shmangur gjykimin.

Pavarësisht se dy kapsula ishin gjetur më parë mbi të, një tjetër kishte mbetur e fshehur në gojë. Kur kapiteni Wells ia kontrolloi gojën dhe e pa kapsulën blu të cianidit të fshehur në cep, Himmler reagoi në panik: e kafshoi kapsulën përpara se të mund të ndalohej.

Ishte ora 23:14 e datës 23 maj. Brenda minutash, një nga njerzit më të urryer të shekullit XX ishte i vdekur. Kapiten Wells shkroi më vonë: “Era që dilte nga goja e tij ishte pa dyshim ajo e acidit hidrocyanid. Doza ishte aq e madhe sa mund të vriste një elefant.” Ai shtoi se ndjeu “urrejtje dhe përbuzje” që një njeri me atë përgjegjësi zgjodhi t’i shpëtonte drejtësisë.

Pas vdekjes, trupi i Himmler u varros fshehurazi nga katër ushtarë britanikë në një varr të paemërt në Lüneburg Heath, në Gjermani. Ceremonia ndodhi në perëndim të diellit, me një prift ushtarak që tha lutjet e fundit. Vendi i varrit u la i pashënuar – dhe mbetet sekret deri më sot.

Raportimet e kohës nga Daily Mail e përshkruan trupin e Himmler të mbështjellë me batanije britanike, veshur me rroba të ushtrisë britanike – një ironi e errët për njeriun që kishte drejtuar kampet e vdekjes dhe policinë sekrete të Hitlerit.

Një foto e rrallë e trupit të tij, e bërë nga një ushtar i inteligjencës britanike, doli në dritë në vitin 2011 por u tërhoq nga një ankand pas protestave të familjarëve. Po ashtu, dokumentet false që përdori Himmler dolën në dritë në vitin 2020, kur mbesa e një oficeri britanik i dorëzoi ato Muzeut të Inteligjencës Ushtarake në Bedfordshire.

Megjithëse ekzistonën teori konspirative se Himmler ndoshta nuk vdiq kurrë dhe se trupat britanikë vranë një “doppelgänger” për të fshehur negociatat e mundshme të tij me Aleatët, këto pretendime nuk janë mbështetur nga prova konkrete.

E vetmja gjë e sigurt është kjo: burri që ndihmoi në ngritjen e makinerisë më të egër të vrasjes masive në histori, zgjodhi t’i shpëtonte gjyqit me një kapsulë helm – dhe u zhduk në errësirën e një varri pa emër, që askush nuk e ka gjetur kurrë.