Një detaj i dukshëm në postimet e fundit të Justin Bieber në rrjetet sociale ka shkaktuar shqetësim mes fansave të këngëtarit për përdorimin e mundshëm të drogës. Këngëtari 31-vjeçar ndau disa foto nga një udhëtim i fundit në mal, ku ai po regjistron muzikë në një studio të izoluar. Por vëmendjen më të madhe e morën dy imazhe ku duket një bong (pajisje për tymosje), çka ka nxitur spekulime për përdorim të lëndëve narkotike.
Në një prej fotove, shoku i tij, këngëtari australian Eddie Benjamin, shfaqet duke luajtur në kitarë, ndërsa në sfond Bieber shihet në një derë të hapur, duke tymosur. Në një tjetër imazh, ai qëndron në një verandë me pamje nga malet, dhe në dysheme shfaqet një bong. Fansat nuk e lanë pa komentuar: “Është një bong gjigant”, “Më shumë ngjan me një palë ‘potheads’ sesa artistë”, – shkruanin ndjekësit.

Postimet erdhën pak kohë pasi Bieber përgënjeshtroi zërat se është në vështirësi financiare. Ai u shfaq në studio, i ulur para mikrofonit me kufje në vesh, duke sugjeruar se po përgatit muzikë të re. Megjithatë, ky nuk është rasti i parë që këngëtari shkakton alarm. Në mars, ai publikoi një video ku shfaqej duke tymosur mbi një biçikletë elektrike, dhe më herët një tjetër ku inhalonte nga një cigare e dyshimtë.
Zëdhënësi i tij ka deklaruar më parë për TMZ se “narrativa e përsëritur se Justin përdor drogëra të forta është absolutisht e pavërtetë”, duke shtuar se ai është në një nga periudhat më të mira të jetës së tij. Sipas burimeve, pamja e lodhur e këngëtarit vjen nga netët pa gjumë në studio dhe përkujdesja ndaj djalit të tij 10-muajsh, Jack Blues.


Bieber ka qenë i hapur për betejën e tij me varësinë. Në vitin 2020, në dokumentarin Justin Bieber: Sessions, ai rrëfeu se nisi të përdorte marijuanë që në moshën 12–13 vjeç dhe më pas kaloi në drogëra më të forta dhe alkool. Ai vendosi të bëhej i pastër pasi ndjeu se “po vdiste”. Kohët e fundit, ai është përshkruar si “i paparashikueshëm”, ndërsa burime kanë pohuar se ai ka shpenzime të mëdha dhe borxhe të mbetura ndaj kompanive të turneve pas anulimit të turit Justice në mars 2023.
Albumi i fundit i Bieber, Justice, doli në vitin 2021 dhe përfshinte hitet Peaches, Ghost dhe Holy. Turneu u anulua pasi këngëtari u diagnostikua me sindromën Ramsay Hunt, një sëmundje që mund të shkaktojë paralizë në fytyrë.