FLASH :

Dështimi i radhës i Mirlindës së AKSHI-t me tenderin miliona eurosh për vëllain e Gjiknurit

Dështimi i radhës i Mirlinda Karçanajt, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), lidhet me një tender miliona lekësh për një platformë që, ironikisht, nuk funksionoi pikërisht kur qytetarët kishin më shumë nevojë për të. Bëhet fjalë për sistemin e-femije.tirana.al, platformën online të Bashkisë Tiranë për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe dhe kopshte publike, që rezultoi jashtë funksionit për ditë me radhë, duke përjashtuar qindra fëmijë nga procesi. Sipas të dhënave zyrtare të Thesarit, për këtë platformë janë bërë dy pagesa: një prej 240 mijë lekësh dhe një tjetër në vlerën e 21.360.000 lekëve një tender që, sipas burimeve të ndryshme, ka përfunduar në kompaninë e lidhur me vëllain e Damian Gjiknurit.

Ndërkohë që Bashkia e Tiranës e promovon veten si “qytet digjital”, kjo platformë e dështuar u bë simboli i një sistemi që shembet sapo qytetari ka nevojë për të. Asnjë njoftim zyrtar, asnjë shtyrje afati, asnjë kërkim falje. Kryebashkiakja e komanduar Anuela Ristani dhe drejtoresha e çerdheve dhe kopshteve, Zhaneta Beqiri, thjesht heshtën. Ngjashëm me këtë, edhe platforma kombëtare e-Albania krenaria e dixhitalizimit të qeverisë është kthyer në një pengesë të përditshme për qytetarët. Aplikacioni nuk funksionon në celular, mjeti më i përdorur për internet në Shqipëri, duke përjashtuar automatikisht mijëra qytetarë nga shërbimet publike.

Mungesa e aksesit nga pajisje mobile, ndërprerjet e vazhdueshme nga kompjuteri, mungesa e ndihmës teknike për të moshuarit apo për personat me aftësi të kufizuara, kanë bërë që e-Albania të kthehet në një platformë që diskriminon në vend që të shërbejë. Nën drejtimin e Mirlinda Karçanajt, e cila nuk ka dhënë asnjë shpjegim publik për problemet e njëpasnjëshme, qytetarët nuk mund të shkarkojnë certifikata, të aplikojnë për karta identiteti apo të sigurojnë dokumente bazë në kohë reale duke i detyruar shumë prej tyre t’i drejtohen zyrave private për shërbime që duhet të ishin falas.

Nga e-fëmija që dështoi në heshtje, tek e-Albania që rrënohet në sy të të gjithëve, përfundimi është i njëjtë: qytetarët mbeten të përjashtuar, ndërsa paratë publike rrjedhin drejt klientelës politike. Dhe në krye të kësaj fasade të shkatërruar dixhitale qëndron Mirlinda e AKSHI-t pa transparencë, pa përgjegjësi dhe me tendera miliona eurosh që përfundojnë në xhepat e të afërmve të pushtetit.