Procesi gjyqësor ndaj Sean ‘Diddy’ Combs për trafikim seksual ka hyrë në ditën e pestë, duke zbuluar detaje të reja tronditëse për jetën e fshehtë të reperit. Agjentët federalë kanë deklaruar se në dhomën e tij të hotelit në Manhattan, më 16 shtator 2024 ditën kur ai u arrestua gjetën gjithçka, nga lëndë narkotike deri te vaj bebeje dhe ndriçim sensual, çka sugjeron se Combs po përgatitej për një “orgji të fundit” para se të humbiste lirinë.
Agjentja speciale Yasin Binda nga Njësia për Trafikim Njerëzor në Departamentin e Sigurisë Kombëtare dëshmoi se në dhomën 2115 të hotelit luksoz Park Hyatt u gjetën qese me vaj Johnson’s Baby Oil, lubrifikant Astroglide, ndriçim erotik, ketaminë, MDMA dhe një përzierje e dyshimtë në një shishe mjekësie që mund të ishte “kokainë rozë”. U gjet gjithashtu një recetë për ilaçin Klonopin, e shkruar në emrin “Frank Black”, që dyshohet të jetë pseudonim i Combs.


Prokurorët thanë se Diddy kishte qëndruar në Nju Jork për 11 ditë para arrestimit dhe dyshohet se e priste ndalimin e tij. Ai u pa i tensionuar në sallën e gjyqit, duke mbajtur duart pas kokës gjatë dëshmisë së agjentes Binda.
Po atë ditë, avokatët e Combs përfunduan marrjen në pyetje të ish-të dashurës dhe akuzueses kryesore, këngëtares Cassie Ventura. Gjatë dëshmisë, ajo rrëfeu se reperi e kishte dhunuar fizikisht dhe seksualisht, ishte një përdorues i rëndë i drogës, dhe i kishte mohuar çdo liri personale gjatë një marrëdhënieje 10-vjeçare.
Në sallën e gjyqit u përmend një video e vitit 2016 ku Diddy shihet duke e goditur dhe tërhequr Cassie në një hotel në Los Angeles. Në një mesazh, Cassie i kishte shkruar Diddy-t: “Unë nuk jam një kukull. Jam fëmijë i dikujt.”
Ndër emrat e përmendur gjatë seancës dolën edhe figura të njohura si Chris Brown dhe një futbollist amerikan, me të cilin Cassie pranoi se kishte pasur një lidhje. Ajo dëshmoi se Diddy shpesh i merrte telefonin, makinën dhe orën, kur xhelozohej për lidhje të mundshme të saj me meshkuj të tjerë.
Mbrojtja tentoi ta paraqiste Cassien si të paqëndrueshme emocionalisht, duke lexuar mesazhe ku ajo shprehej ende e dashuruar me Diddy, madje pranoi se kishte tradhtuar bashkëshortin aktual me reperin, edhe pas akteve të dhunës.
Cassie, tetë muajshe shtatzënë, qëndroi e qetë në sallën e gjyqit, duke theksuar se kishte frikë të largohej nga Diddy pasi ai e kishte dhunuar dhe manipuluar për vite me radhë.
Gjyqtari Arun Subramanian kritikoi mbrojtjen për dërgimin e dokumenteve të vona gjatë natës, duke theksuar se “gjyqi po del jashtë afateve”.
Një tjetër objekt debatues ishte një video ku Diddy shihet në natyrë, duke folur për Zotin, pas sulmit ndaj Cassies në vitin 2016. Prokuroria e përshkroi videon si përpjekje për të fituar keqardhjen e jurisë, ndërsa mbrojtja pranoi të mos e paraqiste si provë.

Gjykata dëgjoi gjithashtu një audio të vitit 2013, ku Cassie i bërtet një miku që pretendonte se kishte një video intime të saj. Në audio ajo dëgjohet duke bërtitur e madje duke e kërcënuar mikun me jetë nëse videoja publikohej:
“Nuk kam vrarë kurrë njeri, por do të vras ty,” thuhet se i ka thënë ajo.
Procesi ndaj Diddy-t po vazhdon me ritme intensive, ndërsa tronditje të reja po dalin në dritë çdo ditë.