FLASH :

Dëshmi tronditëse në gjykatë: Reperi Diddy përballet me akuza të rënda nga ish-asistentja: Jam zgjuar teksa ai përpiqej të më përdhunonte

Në një seancë dramatike gjyqësore në Nju Jork, ish-asistentja personale e reperit të njohur amerikan Sean “Diddy” Combs ka rrëfyer përjetimet e saj të tmerrshme gjatë tetë viteve që punoi pranë tij. Me pseudonimin “Mia”, ajo deklaroi mes lotësh se ishte viktimë e abuzimeve seksuale të përsëritura, si dhe e dhunës psikologjike dhe fizike nga artisti.

“Jetonim në frikë të përhershme,” tregoi ajo para trupit gjykues. “Nuk mund t’i thosha jo, as për një sanduiç.” Mia shtoi se Diddy sillej si i paprekshëm dhe se ajo kishte frikë të raportonte për shkak të pushtetit dhe ndikimit që ai kishte.

Sean Combs, i cili ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, ndoqi dëshminë pa shfaqur asnjë emocion. Ai ka mohuar akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm për trafikim njerëzor dhe transport me qëllim prostitucioni. Avokatët e tij ende nuk kanë paraqitur kundërpyetje.

Në dëshminë e saj, Mia përmendi raste të dhunës fizike – si një episod ku Combs i kishte hedhur një pjatë me spageti në kokë – dhe momente të frikshme ku u detyrua të fshihej bashkë me këngëtaren Cassie Ventura, ish-partneren e Diddy-t, nga një përballje e dhunshme që, sipas saj, ishte “kërcënim për jetën”.

Ndër detajet më të rënda ishte rrëfimi se ishte zgjuar një mëngjes duke e kuptuar se Combs po përpiqej ta përdhunonte – një ngjarje që, sipas saj, kishte ndodhur më shumë se një herë gjatë marrëdhënies së tyre profesionale.

Seanca e radhës do të mbahet të premten, kur pritet që pala mbrojtëse të paraqesë qëndrimin e saj zyrtar dhe të fillojë kundërpyetjet ndaj dëshmitares. Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe publike dhe po konsiderohet si një nga proceset më të rëndësishme për trajtimin e abuzimeve në industrinë e muzikës.