FLASH :

Dërgonin shqiptarë në SHBA dhe Kanada për 35 mijë dollarë/ Arrestohen tre persona, në krye një emër i njohur për drejtësinë

Qytetarë shqiptarë paguanin shuma marramendëse, nga 20 deri në 35 mijë dollarë amerikanë, për të kaluar në mënyrë të paligjshme drejt Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Skema kriminale përfshinte një itinerar të komplikuar, nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian, më pas në ishujt e Karaibeve, dhe në fund drejt destinacionit përfundimtar, SHBA ose Kanada.

Pas disa muaj hetimesh të koordinuara mes Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Tiranës dhe agjencive ndërkombëtare partnere, u godit rrjeti i kontrabandës së qenieve njerëzore, ndërsa tre persona u arrestuan.
Në pranga ranë Hazir Maçi, Çerkez Nikoçi dhe Ardjan Pirani, të cilët dyshohen se kishin ndihmuar dhjetëra shtetas të kalonin kufijtë në mënyrë të paligjshme kundrejt pagesës.

Në krye të grupit kriminal dyshohet se ishte Hazir Maçi, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, me precedent penal për vepra të ngjashme. Hetimet zbuluan se Maçi kishte ngritur një rrjet të mirëorganizuar, duke përdorur dokumente të falsifikuara për të lehtësuar kalimet e paligjshme në disa shtete.

Gjatë operacionit të zhvilluar nga autoritetet, u sekuestruan shuma të mëdha parash cash, dokumente udhëtimi false, si dhe sende të tjera me vlerë të konsiderueshme hetimore.

Policia dhe Prokuroria kanë njoftuar se hetimet janë ende në vijim, ndërsa pritet të zbulohen edhe bashkëpunëtorë të tjerë të përfshirë në rrjetin ndërkombëtar të kontrabandës së njerëzve.