Lezhë – Policia e Shtetit finalizoi operacionin policor ndërkombëtar të koduar “Dërgesa”, për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak. Operacioni u zhvillua nga DVP Lezhë në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, DVP Shkodër dhe Guardia di Finanza italiane, në koordinim me Interpol Tiranën dhe Zyrën e Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Shqipëri.
Si rezultat, u kap dhe u vu në pranga Françesk Mecaj (F. M.), 30 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Hot, Malësia e Madhe, i dyshuar se dërgoi në Itali 5 armë zjarri automatike tip kallashnikov dhe një sasi të konsiderueshme fishekësh luftarakë, kundrejt fitimit financiar. I arrestuari rezulton me precedentë të theksuar në trafikimin e lëndëve narkotike dhe i dënuar dy herë si drejtues i një grupi kriminal që vepronte në qytezën e Lecco-s pranë Milanos, Itali.
Gjatë operacionit u ndaluan dhe u shoqëruan nga autoritetet italiane dy drejtues mikrobusi, shtetasit E. M. dhe A. D., në bagazhet e mjetit të të cilëve u gjetën armët dhe municioni. Sekuestrimi u krye në kufirin mes Sllovenisë dhe Italisë, ndaj një mikrobusi të nisur nga Shqipëria me destinacion Italinë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
- 5 armë automatike tip kallashnikov;
- qindra fishekë luftarakë;
- 4 krehra fishekësh.
Hetimet e DVP Lezhë kanë dokumentuar skemën e dyshuar: sigurimin e armëve dhe municionit për palë të treta në BE, përmes shoqërive private të transportit, me kamuflim në valixhe mes sendeve personale. Operacioni vijon në Shqipëri dhe Itali për identifikimin e pritësit të dërgesës dhe personave të tjerë të përfshirë. Burime hetimore bëjnë me dije se janë duke u verifikuar edhe lidhje të mundshme me shtetasit Bekim Nikolli, Alfred Lleshi dhe Ibrahim Kupa.
Materialet procedurale ndaj F. M. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprën penale “Trafikim i armëve dhe municioneve luftarake”.