FLASH :

Derbi i kryeqytetit/ Tirana mposht Partizanin dhe  i largohet fundit të renditjes

Tirana ka marrë 3 pikë të arta me një fitore të jashtëzakonshme në derbi ndaj Partizanit të cilin e fitoi 3-0.

Jarmouni ishte heroi bardheblu me dy gola, ndërsa rezultati u vulos në pjesën e dytë me penallti nga Ernest.

Përsa i përket takimit, në minutën e 18-të u zhbllokua rezultati. Jarmouni shënoi me kokë në portën e Alban Hoxhës, duke kaluar Tiranën në avantazh.

Më pas, në të 41’, bardheblutë fitojnë një 11-metërsh. Nga pika e bardhë ishte sërish Jarmouni që goditi saktë, duke dyfishuar shifrat dhe realizuar dopjetën personale, që vulosi rezultatin e fraksionit të parë të lojës.

Në pjesën e dytë, bardheblutë fitojnë një tjetër penallti në minutën e 69-të, që shndërrohet në gol nga Ernest (3-0).

Keko arrin të shënojë në minutën e 88-të, por goli i të kuqve anulohet.

Me këtë fitore, Tirana shkon në kuotën e 35 pikëve në vendin e tetë duke rritur shpresat për mbijetesë. Në anën tjetër, Partizani komplikon ndjeshëm vendin e katërt teksa do të ketë edhe një përballje direkte me Elbasanin në javën e fundit në kampionat, pikërisht me skuadrën që e rivalizon.