FLASH :

Derbi grek vendimtar për Champions: Shqipëria në qendër të vëmendjes si arbitër

Kampionati grek i futbollit po hyn në fazën e fundit me emocionet që janë përqendruar te beteja për vendin e dytë – pozicion ky që siguron pjesëmarrjen në kualifikueset e Ligës së Kampionëve. Olimpiakosi e ka siguruar prej kohësh titullin, por gara për vendin e dytë mes Panathinaikos (56 pikë), PAOK dhe AEK (53 pikë) është më e ndezur se kurrë.

Pikërisht këtë fundjavë, do të luhet një derbi i zjarrtë mes AEK-ut dhe Panathinaikos, që mund të rezultojë vendimtar për fatet e sezonit. Fitorja është jetike për AEK-un, ku luan edhe portieri shqiptar Thomas Strakosha, pasi çdo rezultat tjetër do të thotë lamtumirë për ëndrrat europiane të klubit.

Për të shmangur tensionet e zakonshme dhe akuzat përanshmërie, Federata Greke ka vendosur që ndeshjet e fundit të drejtohen nga arbitra të huaj. Dhe për këtë derbi të shumëpritur, përgjegjësinë e ka marrë një treshe shqiptare: Enea Jorgji në qendër, me asistentët Denis Rexha dhe Ridiger Çokaj.

Për Shqipërinë, kjo është një mundësi prestigjioze për të treguar nivelin e arbitrimit në një prej kampionateve më të tensionuar në rajon, ndërsa për Greqinë, një përpjekje për të ruajtur integritetin në një garë që pritet të vendoset në detaje.