FLASH :

Deputetja e PS bën autogol me grykëderdhjen e Vjosës: nafta derdhet lirshëm në det

Një përpjekje për të promovuar peizazhet natyrore të Shqipërisë i është kthyer në autogol deputetes së PS- së Antoneta Dhimës. Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale, deputetja ka ndarë një foto nga grykëderdhja e lumit Vjosa, duke uruar ndjekësit për një fundjavë të mbarë me “peizazh të bukur”. Por në sfondin e asaj që duhej të ishte një pamje idilike, bie në sy një tjetër realitet: një shtresë e zezë ndotjeje që shtrihet përgjatë sipërfaqes së detit, dëshmi e ndotjes së rëndë me naftë.

Pamja ka nxitur reagime të shumta, pasi zona ku bashkohet lumi Vjosa me detin ka qenë prej kohësh në vëmendjen e ambientalistëve për shkak të ndotjes së vazhdueshme. Në vitet e fundit, janë raportuar disa raste derdhjeje të mbetjeve hidrokarbure në këtë zonë, veçanërisht pranë portit të Triportit dhe rafinerive që operojnë në afërsi.

Burime nga organizatat mjedisore pohojnë se ujërat e ndotura industriale dhe derdhjet e paligjshme të mbetjeve nga industria e përpunimit të naftës janë shkaktarët kryesorë të ndotjes së Vjosës në këtë segment. Në disa raste, janë evidentuar shtresa të zeza të vajit të rëndë dhe mbetjeve kimike që notojnë në sipërfaqen e detit, duke rrezikuar seriozisht ekosistemin detar dhe shëndetin publik.

Në vend që të tregonte “pastërtinë” dhe “turizmin e qëndrueshëm”, fotoja e publikuar nga deputetja Dhima ka sjellë në vëmendje një problem të vjetër që institucionet publike kanë shmangur ta adresojnë seriozisht. Ndërkohë që politika promovon bukuritë natyrore, mbetjet hidrokarbure vazhdojnë të derdhen pa kontroll në ujërat shqiptare.