Lajme Troç ka disa kohë që po raporton shkeljet e rënda të Kadastrave anembanë vendit në dëm të qytetarëve.
Pak ditë më parë ne raportuam për masakrën me pronat në bregdet që ka bërë në Sarandë Kryegjyshata Botërore, duke gllabëruar dhjetëra hektarë me letra të falsifikuara.
Dje në mëngjes, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë mësyrë në Kadastrën e Sarandës, ku kanë realizuar një operacion të befasishëm.
Sipas burimeve të Saranda Web, agjentët kanë sekuestruar disa dosje, të cilat përmbajnë dokumente të rëndësishme që lidhen me pasuritë dhe tokat në zonën e Sarandës.
Operacioni është pjesë e një hetimi më të gjerë që po zhvillohet nga BKH, ndërsa ende nuk është bërë i ditur konkretisht objekti i hetimit.
Dyshimet janë se dosjet e sekuestruara mund të lidhen me shkelje të mundshme ligjore në fushën e regjistrimit të pronave, ose abuzime të mundshme me dokumentacionin në këtë institucion.
Autoritetet përkatëse janë angazhuar në verifikimin e materialeve të sekuestruara dhe më shumë informacione pritet të publikohen në ditët në vijim. Kjo është një tjetër ndërhyrje e BKH në një institucion shtetëror, pas operacioneve të mëparshme në sektorë të ndryshëm, për të luftuar korrupsionin dhe shkeljet e ligjit.