FLASH :

Denoncimi i radhës në Troç : Ja si drejtori i Kadastrës Tiranë pret vetëm militantët për halle në zyrë

Vërshojnë Denoncimet në Troç, Drejtori i Kadastrës Tiranë pret vetëm Militantët në zyrë Çdo ditë e më shumë, në redaksinë e Lajme Troç mbërrijnë denoncime nga qytetarë të revoltuar për padrejtësitë që hasin në institucionet shtetërore.

Një nga këto raste vjen nga një qytetar i njësisë 11 në Tiranë, i cili ka ngritur një shqetësim serioz mbi mënyrën se si funksionon procesi i legalizimeve dhe trajtimi i qytetarëve të thjeshtë nga autoritetet. Për shkak të frikës nga pasojat, ai ka zgjedhur të mbetet anonim, pasi sipas tij, ata që denoncojnë shpesh hasin pengesa edhe më të mëdha.

Sipas tij, ai ka aplikuar që në vitin 2005 në drejtorinë Veriore të Tiranës për t’u pajisur me leje legalizimi, por pas dy dekadash sorollatjeje, ende nuk ka marrë asnjë përgjigje konkrete.

“Kanë ardhur disa herë për matje, por në fund nuk kam marrë asnjë zgjidhje. Kur paraqitem pranë zyrave të kësaj drejtorie, më trajtojnë me mashtrime dhe më thonë vetëm në E-Albania ke zgjidhje, ndërsa drejtori Erion Galanxhi pret në zyrë vetëm anëtarët e partisë, të cilëve u jep menjëherë zgjidhje,” – shprehet qytetari.

Ky rast është vetëm një tjetër shembull i qartë se si funksionon “Kadastra Dixhitale” në Shqipëri. Në teori, ajo duhet të shërbente për të përshpejtuar proceset dhe për të shmangur burokracitë e panevojshme, por në realitet, duket se është shndërruar në një mjet për të ndarë qytetarët në dy kategori: ata që kanë mbështetje politike dhe ata që sorollaten pafundësisht nga zyra në zyrë.

“Nuk bëhet kurrë prona jonë nëse nuk ke emër dhe mbiemër ‘të përshtatshëm’. Nëse ke ndonjë lidhje të fortë, të jesh i sigurt se prona do të miratohet menjëherë. Por për ne të thjeshtit, gjithçka mbetet vetëm mashtrim,” – përfundon qytetari i revoltuar.

A është kjo drejtësia që duhet të ofrojë shteti? A duhet të mbetet prona një ëndërr e parealizuar për qytetarët e zakonshëm, ndërsa të favorizuarit marrin atë që duan brenda pak ditësh? Redaksia jonë do të ndjekë këtë rast dhe do të kërkojë përgjigje nga institucionet përgjegjëse për këtë skandal.

Zyra e drejtorit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *