FLASH :

Denoncim në Troç: Kadastra Lushnje zvarrit për 4 vjet një çertifikatë pronësie, qytetari akuzon për zhvatje

Z. Armand Rrudha, ka denoncuar për “Lajme Troç” një skandal të rëndë që lidhet me dhënien e Çertifikatës së Pronësisë nga Kadastra e Lushnjës.

Sipas denoncimit, qytetari ka kryer aktin e trashëgimisë për të atin që prej shkurtit të vitit 2021, por ende sot, pas katër vitesh, nuk ka marrë dokumentin e pronësisë. Ai akuzon Kadastrën dhe institucionet përkatëse për vonesa të qëllimshme, abuzim dhe zhvatje të qytetarëve.

Dyfish akt trashëgimie, trefish pagesa, zero përgjigje


Sipas Rrudhës, megjithëse ligji përcakton që trashëgimia bëhet me një akt të vetëm, noteri e detyroi të kryente dy të tillë, duke e faturuar dyfish. Për më tepër, pas vdekjes së nënës, prona duhet të ndahej automatikisht sipas ligjit, por kjo nuk ndodhi.

Pasi priti për katër vite një përgjigje nga Kadastra, i erdhi një përgjigje absurde: shifrat e tokës nuk përputheshin me ato të Bashkisë Divjakë. Në përpjekje për të sqaruar situatën, qytetari kërkoi nga Bashkia matjen e tokës, por u përball me refuzime dhe justifikime të rreme.

“Më thanë të paguaj topografë privatë për matje, e bëra edhe këtë dhe i dërgova shifrat e sakta online. Sërish nuk më japin përgjigje!” – shprehet ai i indinjuar.

40 mijë lekë në 2021, 20 mijë lekë sot – por Çertifikata e Pronësisë sërish mungon!


Një nga akuzat më të forta është zhvatja e qytetarëve përmes burokracive të pajustifikueshme. Qytetari ka paguar tashmë trefishin e shumës për këtë proces dhe ende nuk ka marrë shërbimin e merituar.

“Kjo është më e ndyrë se mafia! Kanë marrë lekët, por nuk japin asnjë shërbim!”, përfundon ai, duke bërë thirrje për ndihmë dhe ndërhyrje nga autoritetet për të marrë të drejtën e tij.

A do të reagojnë institucionet për këtë skandal?