GJKKO ka shpallur vendimin për ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, i cili është dënuar me 4 vite burg për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm në lidhje me dosjen e njohur si “Toyota Yaris”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar i tij u ul në 2 vite e 8 muaj burg. Gjithashtu, Zarkës i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite. Vendimi u mor nga trupa gjykuese e GJKKO-së e përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Bibe Ndreca dhe Rudina Palloj. Emri i Zarkës doli në dritë pas zbërthimeve të komunikimeve të platformës Sky ECC, ku u zbuluan elementë të korrupsionit pasiv dhe aktiv, si dhe ndikim i jashtëligjshëm në disa raste.
Ish-prokurori u shpall fajtor për veprat penale:
- Korrupsion pasiv i funksionarëve të drejtësisë
- Korrupsion aktiv
- Ushtrim i ndikimit të paligjshëm
Ky është një ndër vendimet më të forta të drejtësisë së re kundër zyrtarëve të lartë të sistemit të drejtësisë.







