FLASH :

Dëmtimi e la jashtë për 5 muaj, futbollisti i Bajernit rikthehet të stërvitet në fushë

Pasi mungoi në angazhimet e verës me ekipin kombëtar kanadez dhe Bajern Mynih për shkak të dëmtimit në gju të pësuar në Final Four të Ligës së Kombeve marsin e kaluar, Alfonso Dejvis është rikthyer zyrtarisht në stërvitje.Klubi gjerman njoftoi rikthimin e mbrojtësit të krahut përmes një sërë postimesh në rrjetet sociale, duke theksuar shpejtësinë e jashtëzakonshme të lojtarit në rehabilitimin e tij. Pesë muaj pas dëmtimit që e detyroi të përfundonte sezonin para kohe dhe të humbiste Kupën e Botës për Klube, ai është rikthyer në fushë, megjithëse aktualisht po bën vetëm ushtrime të lehta dhe pa top.

Në një video të publikuar nga Bajern, kanadezi tha: “Ndihem shumë mirë. Në muajt e parë, mund të ecja vetëm, por tani mund të vrapoj, megjithëse ngadalë. Është një hap i madh përpara.”

Mbrojtësi i krahut shpjegoi se dëshiron të vazhdojë me kujdes, i vetëdijshëm për nevojën për të forcuar më tej muskujt e tij përpara se të kthehet në punë teknike dhe taktike: “Më pëlqen të vrapoj shpejt, por e di që duhet të jem i duruar. Tani qëllimi është të forcoj këmbët dhe të monitoroj reagimet e mia pas çdo seance”, shtoi ai.