Ousmane Dembélé është në qendër të vëmendjes pas fitores së Topit të Artë 2025, një sukses që vulos sezonet e tij më të mira me fanellën e Paris Saint-Germain. Përveç punës së Luis Enrique-s dhe disiplinës së fituar me stërvitje të rregullta në palestër, një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe ndryshimi në zakonet e tij ushqimore.
Nëse dikur ishte i njohur për dobësinë ndaj ushqimit të shpejtë (fast food), sot francezi e ka kufizuar këtë zakon, duke e zëvendësuar me zgjedhje më të shëndetshme. Por një element mbetet i pazëvendësueshëm për të: banania.
Sipas ekspertëve të nutricionit, banania është një “karburant natyral” i jashtëzakonshëm: një frut mesatar ofron 100-120 kalori dhe 25-30 gram karbohidrate, duke siguruar energji të shpejtë dhe të qëndrueshme. Përveç kësaj, ajo është e pasur me fibra, kalium, thelbësor për funksionimin e muskujve dhe nervave, si dhe vitamina B6, C dhe mangan.
Nutricionistët këshillojnë që banania të konsumohet në momente të ndryshme të aktivitetit fizik:
Para stërvitjes: 60-90 minuta më herët për të mbushur rezervat e energjisë pa shkaktuar diskomfort.
Gjatë ushtrimeve të gjata: një banane çdo 30-45 minuta ndihmon në ruajtjen e ritmit dhe hidratimit kur shoqërohet me lëngje e kripëra.
Pas aktivitetit: në 30-60 minutat e para, e kombinuar me proteina dhe lëngje me elektrolite, ndihmon në rikuperimin e shpejtë të muskujve.
Me këtë qasje, Dembélé ka treguar se edhe një detaj i thjeshtë si përzgjedhja e duhur e ushqimit mund të bëjë diferencën në arritjen e majave të futbollit botëror. Banania, në rastin e tij, nuk është thjesht një frut, por një pjesë e pandashme e suksesit.