Një mjet revolucionar i inteligjencës artificiale, Delphi-2M, po tregon potencial të madh në parashikimin e sëmundjeve me progresion të qartë, si diabeti i tipit 2 dhe infarkti i zemrës. Ai mund të parashikojë rrezikun e mbi 1.000 sëmundjeve, përfshirë kancerin dhe sëmundjet kardiovaskulare, madje edhe dekada përpara se ato të shfaqen.
Hulumtues nga Laboratori Evropian për Biologji Molekulare (EMBL), Qendra Gjermane për Kërkime mbi Kancerin dhe Universiteti i Kopenhagës shpresojnë që teknologjia të ndihmojë në identifikimin e hershëm të pacientëve me rrezik të lartë, duke mundësuar parandalimin e sëmundjeve.
Delphi-2M është trajnuar mbi miliona kartela mjekësore të anonimizuara dhe analizon historikun shëndetësor dhe zakonet e jetesës, si pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit apo mbipesha. Ai mund të parashikojë shëndetin e individit deri në 20 vite më vonë. Testimet janë kryer mbi të dhëna nga 400.000 pacientë të projektit UK Biobank dhe 1,9 milionë persona të regjistrit kombëtar danez.
“Ngjarjet mjekësore shpesh ndjekin modele të parashikueshme. Modeli ynë i mëson ato dhe mund të parashikojë rezultatet shëndetësore të së ardhmes,” shpjegoi Thomas Fitzgerald, bashkautor i studimit të publikuar në revistën Nature.
Ekspertët presin që mjeti të bëhet pjesë e përditshme e punës së mjekëve. “Ju hyni në ordinancë dhe merrni një pamje të qartë: katër rreziqet më të mëdha dhe dy gjëra që mund të bëni për t’i ulur ato,” tha prof. Ewan Birney, drejtor ekzekutiv i EMBL.
Megjithatë, specialistët paralajmërojnë për kufizimet e tij. “Modeli riprodhon paragjykimet nga të dhënat, përfshirë moshën, përkatësinë etnike dhe rezultatet shëndetësore,” tha prof. Justin Stebbing, onkolog këshilltar. Prof. Peter Bannister shtoi se sfida kryesore mbetet sigurimi i qasjes së barabartë dhe infrastruktura digjitale për të gjithë, jo vetëm për të pasurit.
Shumë ekspertë besojnë se ky është vetëm fillimi. Versionet e ardhshme të Delphi-2M mund të integrojnë biomarkerë, imazheri dhe të dhëna gjenetike, duke e shndërruar atë në një mjet të fuqishëm të mjekësisë precize.
Ky zbulim vjen ndërkohë që organizata “One Cancer Voice” paralajmëron se rastet e kancerit do të arrijnë nivele rekord deri në vitin 2040, me një person të diagnostikuar çdo dy minuta dhe rritje të paparë të kancerit të gjirit, prostatës dhe mushkërive.