Ish-ylli i Tottenham dhe Anglisë, Dele Alli, është ndarë nga e dashura e tij, modelja Cindy Kimberly. Lajmi është konfirmuar tashmë nga vetë Kimberly përmes një komunikimi në rrjetet sociale, pas spekulimeve që nisën kur ajo e hoqi futbollistin nga lista e ndjekësve në Instagram.

Sipas mediave britanike, Kimberly ka pranuar ndarjen, duke deklaruar: “Kemi qenë të ndarë prej pak kohësh tashmë.” Çifti e bëri publike lidhjen në qershor të vitit 2022, ndërsa vetëm në janar të këtij viti ajo shihej duke e mbështetur Alli-n gjatë transferimit të tij në klubin italian Como.

Modelja ka qenë një mbështetje e madhe për Alli-n, sidomos pas rrëfimeve të tij tronditëse në vitin 2023 për abuzimin seksual që kishte përjetuar në fëmijëri, varësinë ndaj pilulave për gjumë dhe problemet me shëndetin mendor. Megjithatë, të gjitha fotot e çiftit janë fshirë nga profili i saj në Instagram, përfshirë edhe ato nga Como në prill.

Ndërkohë, karriera e Alli-t në fushë mbetet e paqëndrueshme. Futbollisti 29-vjeçar nuk kishte luajtur asnjë ndeshje zyrtare për dy vite, para se të transferohej në Como në janar. Ai debutoi në mars ndaj Milanit, por ndeshja zgjati vetëm 10 minuta, pasi u ndëshkua me karton të kuq.

Trajneri i Como-s, Cesc Fabregas, nuk ishte aspak i butë në komentet ndaj tij, duke e cilësuar kartonin e kuq si një “gabim të rëndë” nga një lojtar me aq përvojë. Fabregas theksoi se Alli ka ende shumë për të punuar për të ringjallur karrierën: “Kur të vijë momenti i duhur, do të vijë – por ai duhet të vazhdojë të punojë.”

Me një marrëdhënie të përfunduar dhe një karrierë në krizë, Dele Alli ndodhet në një pikë kyçe të jetës së tij – në fushë dhe jashtë saj.
