FLASH :

Del videoja e vrasjes së Martin Canit, mban dorën në zemër pasi është qëlluar

Gazetari Eraldo Harlicaj ka publikuar videon e vrasjes së Martin Canit, duke ngritur pikëpyetje mbi hetimin dhe ecurinë gjyqësore të çështjes. Harlicaj rrëfen se ka pasur mëdyshje për publikimin e materialeve filmike që i kishte në dorë prej një muaji, por mungesa e një hetimi të thelluar nga Prokuroria e Tiranës dhe deklarimet kontradiktore të fëmijëve në seancat me dyer të mbyllura e shtynë drejt vendimit për t’i bërë publike. Pamjet tregojnë momentin kur Martini dhe Mario, të shoqëruar nga miqtë e tyre, shkojnë për t’u “sqaruar” në vendin e ngjarjes, ku përplasja përshkallëzohet në një sherr që përfundon me vrasjen e Martinit dhe plagosjen e shokut të tij, Luisit.

Sipas videos dhe deklarimeve në gjyq, nuk ishte Martini ai që nisi konfliktin fizik, por një tjetër djalë që goditi i pari. Në filmime shihet vetëm një thikë në dorën e Marios, ndërsa Martini largohet duke mbajtur dorën në kraharor. Më pas, Mario kthehet për të marrë këpucën që i kishte rënë, dhe përballet me dy të rinj të tjerë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, Luisi ka treguar para gjykatës dhe prokurores Alma Felaj plagët që mori dhe ka këmbëngulur se dy persona kanë goditur me thikë, duke kërkuar që hetimi të rihapet.

“Pikëpyetjet e çështjes së Martin Canit, video e ditës së ngjarjes Në momentin që më ra në duar, këtu e një muaj më parë, dosja e Martin Canit me materialet e plota filmike, kisha shumë mëdyshje për publikimin e tyre. Zgjedhjet e 11 majit ma larguan nga mendimet për pak kohë. Kisha dhe kam pikëpyetje nëse po veproj mirë, apo gabim.

Megjithatë, janë disa paqartësi që më “shtyjnë” të publikoj materialet. Veprimet nga ana e Prokurororisë së Tiranës duke dërguar çështjen për gjykim pa një hetim të thelluar, por dhe deklarimet e fëmijëve në seancat me dyer të mbyllura. Në video, shihen qartë Martini dhe Mario që u prijnë shokëve dhe shkojnë për t’u “sqaruar” te vendi i ngjarjes. Të ndjekur nga miqtë e tyre të identifikuar. Në momentin e bisedës mes tyre, referuar dhe deklarimeve në gjyq, ka qenë një nga djemtë e tjerë, jo Martini, që ka goditur i pari Marion në hundë. Më pas sherri ka agravuar, duke i marrë jetën Martinit dhe duke plagosur Luisin. Tragjedia ka ndodhur në më pak se 1 minutë.

Në pamjet filmike, duke ikur, shihet vetëm një thikë në dorën e Marios dhe Martini që vrapon duke mbajtur dorën në kraharor. Mario më pas kthehet te vendi i krimit, pasi i ka rënë këpuca dhe shkon ta rimarrë, pritet nga dy djem të tjerë që ndodhen aty. Luisi, shoku i plagosur i Martinit, në seancën gjyqësore u ka treguar gjyqtarëve, por dhe prokurores Alma Felaj, plagët e tij. Ai i qëndron idesë se kanë qenë dy persona që kanë goditur me thikë, duke kërkuar rihetim”, shkruan gazetari Eraldo Harlicaj.