Një incident i pazakontë detar ka ndodhur në Marina Del Rey, Kaliforni, ku një jaht rreth 20 metra i gjatë është përplasur me shpejtësi në breg, pasi sistemi i frenimit doli jashtë funksioni. Ngjarja ndodhi të shtunën, më 26 korrik, rreth 25 kilometra në perëndim të Los Angeles-it.
Sipas agjencisë së lajmeve KTLA 5, komandanti i anijes mori vendimin e vështirë për ta përplasur qëllimisht jahtin me bregun, për të shmangur dëme edhe më të mëdha apo një përplasje të pakontrolluar. Një dëshmitar okular filmoi momentin dramatik kur jahti godet fort murin e bregut, ndërsa në sfond dëgjohen zëra që shprehin hutim dhe frikë për atë që po ndodhte.
Pavarësisht impaktit të fortë, fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar. Autoritetet po hetojnë shkaqet e defektit teknik, ndërsa videoja e përplasjes është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke tërhequr mijëra shikime dhe komente për reagimin e shpejtë të kapitenit që ndoshta shmangu një tragjedi të mundshme.