FLASH :

Dedikimi prekës i aktores shqiptare për lindjen e vajzës

Aktorja dhe moderatorja Eliona Pitarka është bërë nënë për herë të tretë, dhe këtë moment të veçantë ajo e ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale përmes një rrëfimi të ngrohtë dhe të ndjerë nga materniteti.

Në një postim ku emocionet derdhen fjalë pas fjale, Pitarka zbulon se kishte lënë një porosi për mjekët dhe mamitë para lindjes:
“Ju lutem, kur të dalë, mos më thoni çfarë është… Vetëm ma vendosni në kraharor. Dua ta zbuloj vetë.”

Dhe ashtu ndodhi. Me vajzën në gjoks, e mbështetur pranë zemrës së saj, Eliona ndaloi kohën për dy minuta, duke përjetuar një nga momentet më të bukura të jetës.

“Doja vetëm ta mbaja pranë zemrës, t’i merrja erën, ta ndjeja të gjallë, dhe të falenderoja Zotin që më zgjodhi mua, për herë të tretë,” shkruan ajo.
“Pastaj, ngadalë… e ngrita me duart që më dridheshin, e aty, në mes të dritës, pashë që ishte… VAJZË.”

Pitarka e përshkruan lindjen si një moment shpirtëror, një konfirmim të asaj që zemra e saj e kishte ditur gjithmonë:

“Në këtë dhomë materniteti u vulos përfundimisht ajo që zemra ime e ka ditur gjithmonë: Jam një mama vajzash. Jam mamaja që shkon në maternitet me rozën në ADN. Universi nuk po bën më surpriza, vetëm po më konfirmon titullin: CEO e vajzave 🎀”

Urimet për aktoren kanë vërshuar menjëherë pas publikimit të lajmit, me ndjekës që e kanë përgëzuar për këtë moment të bukur dhe për mënyrën unike se si e ka ndarë me botën.