FLASH :

Dasma e Jeff Bezos zhvendoset në zonë të izoluar në Venecia – frikë nga protesta dhe shqetësime sigurie

Dasma luksoze e themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, me gazetaren Lauren Sanchez, e planifikuar për t’u mbajtur këtë javë në Venecia, është zhvendosur në një zonë më të izoluar për arsye sigurie dhe për të shmangur protestat e paralajmëruara nga grupe lokale.

Fillimisht parashikuar të zhvillohej në zonën qendrore të Cannaregio-s, një nga vendet më të populluara dhe të njohura për jetën e natës në qytetin lagunor, eventi është zhvendosur në një sallë të Arsenale, një kompleks i shekullit të 14-të në lagjen Castello, i rrethuar nga ujë dhe i paarritshëm nga toka kur urat janë të ngritura. Sipas burimeve, kjo është bërë për të shmangur rrezikun e bllokadave dhe protestave të paralajmëruara nga fushata “S’ka Hapësirë për Bezosin”, e udhëhequr nga aktivisti Tommaso Cacciari.

Ceremonia pritet të mbahet midis të enjtes dhe të shtunës, në prani të rreth 200 deri në 250 të ftuar VIP, përfshirë figura nga bota e spektaklit, politikës dhe financës. Midis tyre pritet të jenë edhe Ivanka Trump dhe Jared Kushner, të cilët ndodhen aktualisht në Itali.

Jeff Bezos, 61 vjeç, dhe Lauren Sanchez, 55, u fejuan në vitin 2023, katër vjet pas ndarjes së Bezos nga Mackenzie Scott. Çifti ka zgjedhur Venecian si vendin e kurorëzimit të dashurisë, një destinacion që më parë ka pritur edhe dasma të tjera të famshme, si ajo e George Clooney dhe Amal Alamuddin në vitin 2014.

Ndërkohë që protestuesit kanë paralajmëruar se do të mbushin kanalet dhe urat e qytetit për të bllokuar eventin, autoritetet lokale kanë shprehur pakënaqësi ndaj këtyre reagimeve. Guvernatori i Venetos, Luca Zaia, u shpreh se praninë e 90 avionëve privatë që sjellin të ftuarit e konsideron si një mundësi që mund të gjenerojë deri në 48 milionë euro për ekonominë lokale.