FLASH :

Dashuria mes dy popujve/ Policia shqiptare ndihmon dy turistet izraelite në Berat

Në një operacion “model” për standardet shqiptare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat kanë arritur të zgjidhin me shpejtësi një “rast emergjent” që përfshinte… dy turiste izraelite dhe çantat e tyre të humbura. Sipas njoftimit zyrtar, gratë kishin raportuar se iu kishin humbur kuletat, dokumentet dhe kartat bankare gjatë një shëtitjeje në qytetin historik.

Policia, me një efikasitet për t’u pasur zili, organizoi kërkimet dhe arriti t’i gjente sendet e humbura në një kohë të shkurtër, duke i kthyer me kujdes zonjave në fjalë. Turistet, të mahnitura nga përkushtimi i strukturave tona, falënderuan ngrohtësisht punonjësit e rendit për “gatishmërinë dhe seriozitetin”.

Një histori që ndoshta do të bënte krenar edhe Sherlock Holmes-in – veçanërisht në një vend ku qytetarët shpesh presin me javë për të marrë përgjigje për vjedhje apo probleme banale të përditshme. Por për vizitorët e huaj, sidomos në kulmin e sezonit, Policia jonë gjen gjithmonë kohë, përkushtim dhe… një çantë të humbur mes kalldrëmeve të Beratit.