Kanë dalë videot të cilat pretendojne një rast flagrant manipulimi në zgjedhjet e fundit, për të cilat edhe Partia Demokratike ka hedhur akuza më herët. Në pamjet e bëra publike gjatë një konference për shtyp, duket një qytetar që paraqitet për të votuar dy herë në një qendër votimi në Elbasan.
Sipas PD-së, rasti është provë e qartë e shkeljeve serioze që kanë ndodhur gjatë procesit zgjedhor dhe që e kthejnë atë në një farsë. Në video, i njëjti person shfaqet me dy fletë të ndryshme votimi, pa asnjë ndërhyrje nga autoritetet përkatëse.
“Ky është vetëm një nga shumë rastet e tilla. Ne do të çojmë çdo provë në KQZ dhe institucionet e drejtësisë”, deklaruan përfaqësues të PD-së, duke kërkuar hetim të plotë mbi atë që e cilësuan si “proces i manipuluar në thelb dhe në formë”.
Në mungesë të një reagimi zyrtar nga autoritetet zgjedhore apo organet e drejtësisë, ngjarja ka ndezur debate të reja mbi besueshmërinë e procesit dhe masat që duhen marrë për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.