Cunami ka arritur në brigjet e disa shteteve amerikane, përfshirë Oregonin, Kaliforninë dhe Uashingtonin.
Vala më e lartë e regjistruar deri më tani pati një lartësi prej vetëm gjysmë metri dhe u regjistrua në zonat e Arena Cove, Crescent City, Monterey në Kaliforni. Paralajmërimi për cunam mbetet në fuqi për bregdetin verior të Kalifornisë.
Ndërkohë, alarmi për cunam u zbeh për Hawaiin, sipas Qendrës së Paralajmërimit për Cunam të Paqësorit, drejtori i së cilës tha se “më e keqja ka mbaruar” për arkipelagun.
Valët deri në 1.7 metra të larta arritën në ishuj përpara se kërcënimi për shtetin të ulej rreth orës 11:50 sipas orës lokale.
Më herët,. banorëve të zonave bregdetare iu ishte kërkuar të zhvendoseshin në vende më të larta ose të paktën në katin e katërt të ndërtesave, ndërsa Roja Bregdetare e SHBA-së kishte urdhëruar anijet të largoheshin nga portet.
Fluturimet në aeroportin e Honolulusë, të cilat ishin pezulluar, u rikthyen, sipas Departamentit të Transportit, ndërsa aeroporti kryesor në Maui vijon të jetë i mbyllur.