Hetuesit e skenës së krimit (CSI) kanë zbritur të enjten në rezidencën madhështore të Brad Pitt në Los Angeles, pasi ajo u terrorizua nga hajdutë që thyen dritaret dhe shkatërruan pronën.
Fotot e siguruara nga tregojnë ekipin e CSI-së duke kërkuar prova në shtëpinë e aktorit gjatë orëve pas ngjarjes.

Sipas Departamentit të Policisë së Los Angelesit, tre persona dyshohet se hynë me forcë në shtëpinë e yllit të kinemasë, në zonën elitare të Los Feliz, rreth orës 22:30 të mbrëmjes së të mërkurës.
Një burim i tha LA Times se autorët thyen një dritare për të hyrë dhe lanë një “rrëmujë të vërtetë”.

Dyshohet se ata vodhën sende personale të Pitt dhe përmbysën mobiliet në kërkim të gjërave me vlerë, tha burimi për gazetën. Sipas një personi të brendshëm, sendet e Pitt ishin shpërndarë nëpër dysheme gjatë krimit.
Aktori 61-vjeçar nuk ndodhej në shtëpi në atë moment. Nuk është e qartë nëse e dashura e tij, Ines de Ramon, ishte brenda.

Një oficer i maskuar, me doreza blu dhe kuti veglash, u pa në pronë teksa hetuesit kërkonin për gjurmë. Edhe oficerë civilë hynin dhe dilnin nga shtëpia gjatë hetimeve.
Hetuesit i thanë më herët NBC News se hajdutët kapërcyen gardhin e përparmë të Pitt dhe bastisën shtëpinë, duke vjedhur një sasi të papërcaktuar pronash.
Ngjarja ndodh në një periudhë ku shumë shtëpi të personazheve të famshëm në zonën e Los Angeles janë bërë shënjestër grabitjesh.
Ndër të prekurit janë edhe ish-e dashura e Pitt, Jennifer Aniston, si dhe çiftet Nicole Kidman & Keith Urban dhe Tom Hanks & Rita Wilson.
Nuk dihet nëse këto grabitje janë të lidhura mes tyre.

Pitt ka qenë i angazhuar me promovimin e filmit të tij të ri F1, dhe u pa së fundmi me de Ramon në premierën në Londër këtë javë.
Filmi është realizuar në bashkëpunim me FIA-n (organin qeverisës të Formula 1), ndërsa producent është edhe kampioni shtatë herë botëror, Lewis Hamilton.
Në film, Pitt luan rolin e pilotit të trazuar Sonny Hayes, që përballet me kundërshtarin e tij të ri, Joshua Pearce (Damson Idris), ndërsa garojnë në disa Grand Prix nëpër botë. Pitt u shfaq në tapetin e kuq me de Ramon, ndërsa marrëdhënia e tyre duket se po forcohet gjithnjë e më shumë.
Kjo vjen pasi Pitt ka mbyllur së fundmi betejën e gjatë tetëvjeçare të divorcit me Angelina Jolie.
Një burim i mëparshëm i kishte thënë Daily Mail se, ndonëse Pitt dhe de Ramon janë shumë të lumtur bashkë, nuk kanë ndërmend të martohen.
“Brad është i dashuruar kokë e këmbë me Ines, por nuk do të martohet e të ketë më fëmijë,” thanë ata. “Divorci me Angelina e ka lënduar shumë dhe fëmijët mezi flasin me të. Ai është 61 vjeç dhe e do jetën që ka tani.”
Pitt dhe Jolie po përgatiten për një gjyq në lidhje me pronën e përbashkët Château Miraval, resorti madhështor në Francë ku u martuan në vitin 2014.
Pronësia, e njohur për verën e saj rosé me çmime ndërkombëtare, është kthyer në pikën qendrore të një beteje të gjatë ligjore.
Jolie, 49 vjeçe, ka tentuar të hedhë poshtë pretendimet e Pitt se ajo ia shiti aksionet në fshehtësi, duke injoruar marrëveshjen verbale për të ruajtur ndarjen 50-50.
Tashmë që kërkesa e saj është refuzuar, çështja po ecën me ritëm të shpejtë.
Data e gjyqit ende nuk është caktuar dhe disa mocione kyçe janë ende në pritje.







