FLASH :

Cristiano Ronaldo Jr nis rrugëtimin me Portugalinë U15, nën sytë krenarë të gjyshes

Cristiano Ronaldo Jr ka bërë hapat e parë drejt ndjekjes së trashëgimisë së të atit, duke u grumbulluar për herë të parë me kombëtaren U15 të Portugalisë. 14-vjeçari, i cili aktivizohet me ekipin e të rinjve të Al-Nassr, ishte në stol për ndeshjen ndaj Japonisë të martën, në kuadër të turneut “Vlatko Markovic” që po zhvillohet në Kroaci.

Në tribunë ndodhej edhe gjyshja e tij, Maria Dolores, nëna e Cristiano Ronaldos, e cila ndoqi stërvitjen dhe nxehjen e nipit me emocione të dukshme. Ajo u fotografua me fanellën ikonike të djalit të saj nga Kupa e Botës 2010, ndërsa Cristiano Jr mbante numrin 7 në shpinë – një tjetër simbolikë e qartë për trashëgiminë që mbart.

Cristiano Ronaldo Jr, i njohur ndryshe edhe si “Cristianinho”, është pjesë e një grupi prej 22 lojtarësh të thirrur nga trajneri João Santos për këtë turne. Para Al-Nassr-it, ai ka qenë pjesë e akademive të Real Madridit, Juventusit dhe Manchester United – tre nga ish-klubet e të atit.

Megjithëse ende nuk ka përzgjedhur zyrtarisht një kombëtare përfaqësuese, pjesëmarrja me Portugalinë U15 tregon një prirje të qartë për të ndjekur rrugën e Cristiano Ronaldos, i cili në vitin 2001 u aktivizua gjithashtu për U15-tat para se të bëhej golashënuesi më i mirë në historinë e vendit.

Vetë Ronaldo ka shprehur dëshirën për të luajtur një ditë në të njëjtin fushë me të birin, ndonëse pranon se mosha dhe koha po ecin përpara: “Do të më pëlqente shumë. Nuk është një ëndërr që më mban zgjuar natën, por do shohim. Më e rëndësishmja është që ai të ndjekë rrugën e tij dhe të jetë i lumtur.”

Pavarësisht presionit që mund të vijë nga mbiemri i famshëm, Cristiano Jr duket i vendosur të ndërtojë karrierën e vet – dhe me mbështetjen e familjes, gjithçka është e mundur.