FLASH :

Ç’mund t’i ofrojë Shqipërisë thithësi serial i fondeve Endrit Shabani?!

Nga Maksi Çami

Endrit Shabani, i njohur për angazhimin e tij në shoqërinë civile dhe për fjalimet e artikuluara, i paraqitet publikut si një alternativë ndaj klasës politike tradicionale. Por a është vërtet kështu?

Karriera e tij është zhvilluar brenda botës së organizatave joqeveritare. Një terren ku nuk ka llogaridhënie publike, nuk ka vlerësim nga tregu, dhe ku “suksesi” matet shpesh më shumë me aftësinë për të tërhequr fonde sesa për të prodhuar rezultate konkrete për qytetarët. Endrit Shabani nuk ka menaxhuar kurrë një kompani, nuk ka drejtuar një institucion publik dhe nuk ka qenë kurrë përgjegjës për jetën e njerëzve në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Për më tepër, historia e tij është e lidhur ngushtësisht me fondacione dhe struktura ndërkombëtare të financuara nga donatorë të huaj përfshirë fondacionin e njohur të George Soros, të cilat shpesh kritikohen për ndikimin e tyre disproporcional në politikën dhe shoqërinë shqiptare. Ai ka marrë fonde dikur me Parlamentin Rinor, me Amnesty International apo me ‘Foris’, dhe si gjithë këta që merren me të drejtat e njeriut, nuk numërojnë dot një sukses konkret, një impakt në jetën e një individi. Pastaj duhet të pyesim, si ka mundësi që një person i tillë që ka drejtuar OJF, dhe ka pasur staf e pjesëmarrës, nuk ka asnjë bashkëpunëtor që t’i rrijë në krah?

A mundet një figurë që është formësuar e mbështetur gjatë gjithë karrierës nga axhenda të huaja, të përfaqësojë me të vërtetë prioritetet e një familjeje shqiptare që përballet çdo ditë me sfida reale: kosto jetese, mungesë shërbimesh dhe pasiguri?

Ka diçka të çuditshme në faktin që një person i formuar krejtësisht jashtë mekanizmave reale të ekonomisë dhe administratës publike, që nuk ka provuar kurrë të ndërtojë diçka në kushte reale konkurruese, na propozohet sot si “zgjidhja” që do të transformojë vendin. Në fakt, nuk është fare e qartë se çfarë konkretisht ofron Shabani, përveç frazave të bukura për “ndryshim”, “shpresë” dhe “politikë ndryshe”. Fjalë që tingëllojnë mirë, por që nuk mbajnë peshë kur mungon eksperienca praktike.

A është i gatshëm një profil si ky të përballet me kompleksitetin e drejtimit të një institucioni publik? Për shembull, imagjinoni nëse ai do të ishte papritur një ministër mbrojtjeje apo i kulturës dhe sporteve apo i financave?! Mos kemi të bëjmë me një tjetër rast kur Shqipëria rrezikon të përqafojë idealizma të bukura në letër, por të zbrazëta në praktikë?

Në fund të ditës, votuesit shqiptarë duhet të pyesin: a duam një lider që ka ndërtuar diçka të prekshme, apo dikë që ka kaluar karrierën në rrethin e mbyllur të seminareve dhe konferencave të financuara nga agjenda të largëta nga jeta jonë e përditshme?